Evakuimi anulohet, rusët nuk e respektojnë armëpushimin! Llavrov akuzon: Zelenski dëshiron konflikt mes NATO-s dhe Rusisë

TË FUNDIT

Edhe pse ishte paraparë të evakuohen 9.000 njerëz, disa në mënyrë të organizuar me autobusë, e disa me makina private, megjithatë autoritetet lokale në Mariupol e anuluan evakuimin dhe i thirrën banorët të kthehen në strehimoret e tyre pasi, siç shpjegoi, forcat ruse nuk e respektojnë armëpushimin dhe vazhdojnë ta sulmojnë qytetin. Zëvendësi i kryetarit të Mariupolit, Serhij Orllov, deklaroi se edhe rruga që çon drejt Zaporozhjes nuk është e sigurt. Në ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve “RIA” transmetoi se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pohon se nga Mariupoli dhe Volnovaka po qëllohet drejt pozicioneve ruse.

Nga Agjencia për refugjatë, UNHCR, kumtuan se nga fillimi luftës Ukrainën e kanë braktisur mbi 1,5 milionë njerëz, gjysma prej të cilëve janë në Poloni. Ndryshe, sot është dita e dhjetë e pushtimit rus. Ushtria e Ukrainës paralajmëron se forcat ruse po luftojnë për ta rrethuar kryeqytetin Kiev, si dhe qytetin e dytë më të madh, Harkov, kurse diplomatët e perëndimit kërkojnë masa për t’i dhënë fund konfliktit, duke paralajmëruar se civilët do të jenë të ekspozuar në sulme më intensive.

Presidenti i Ukrainës, Vollodomir Zelenski, përmes një video-porosie, sot në mëngjes konfirmoi se ai dhe funksionarë të tjerë të lartë do të qëndrojnë në Kiev. Dje, ministrat e jashtëm të NATO-s, nuk i morën parasysh thirrjet, duke i përfshirë edhe ato nga Kievi – që Perëndimi të krijojë zonë të ndaluar për fluturime mbi Ukrainën, me qëllim që armata ukrainase dhe mbrojtja civile të jenë në pozitë më të barabartë me forcat ruse.

Zelenski mbrëmë doli me reagim, duke thënë se refuzimi i NATO-s që të vendosë zonë të ndaluar për fluturime, sinjalizon “dobësi” dhe “mungesë uniteti”. Zelenski dëshiron të shkaktojë konflikt mes Rusisë dhe NATO-s, vlerëson shefi i diplomacisë ruse, Sergej Llavrov. Ai shtoi se Moska ende nuk i ka marrë afatet për raundin e tretë të negociatave me Kievin./TV21