Mbështetësit e komunitetit LGBT u mblodhën në Beograd më 17 shtator, pavarësisht se autoritetet serbe ndaluan mbajtjen e marshit të EuroPride.
Teksa nisi marshimi në Beograd, në rrugët e kryeqytetit serb u pa prezencë e shtuar e Policisë.
Para nisjes së marshit të EuroPride-it u raportua për disa incidente të vogla, pasi aktivistë të krahut të djathtë dhe të grupeve fetare po ashtu u mblodhën në Beograd për të kundërshtuar marshin.
Policia bllokoi trotuaret dhe rrugët nëpër të cilat organizatorët e marshit kishin planifikuar të mbanin marshin dhe po ashtu u ndalua kundër-protestat e paralajmëruar nga grupet pro-Kishës Ortodokse Serbe dhe grupeve të tjera.
Muajin e kaluar, presidenti populist serb, Aleksandar Vuçiq, sugjeroi se marshi i EuroPride-it nuk do të lejohej që të mbahej, por vendimi i fundit për këtë u mor nga Ministria e Brendshme.
Më 13 shtator, Ministria e Brendshme zyrtarisht njoftoi se nuk do të lejonte mbajtjen e Javës së EuroPride-it që kulmon me paradën në rrugët e Beogradit dhe tha se një vendim të njëjtë ka marrë edhe për protestat e paralajmëruara për 17 shtator.
Ministria serbe tha se deri te ky vendim erdhi për shkak të “rrezikut të dhunës, shkatërrimit të pronës dhe formave të tjera të prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë”.
Më 15 shtator, një prej organizatorëve të ngjarjes, Marko Mihajloviq, tha për Radion Evropa e Lirë se grupi i tij kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative serbe kundër vendimit të Ministrisë së Brendshme.
