Eurodeputeti Quçuk pa optimizëm, “Maqedonia e Veriut të mos presë negociata me BE-në në qershor”

TË FUNDIT

Eurodeputeti Illhan Quçuk pa optimizëm për start të negociatave me BE-në në qershor, pasi siç thotë, Bullgaria sërish është në periudhë parazgjedhore dhe nuk ka Qeveri. Me këtë qëndrim, pajtohet edhe gazetari Boiko Vasilev.

“Ishte pritur ajo që e tha kryeministri i ri bullgar Janev, se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të Bullgarisë, e para: pasi është Qeveri e përkohshme, e dyta pasi nuk ka Parlament dhe e treta: pasi tashmë ka pozicion të Parlamentit bullgar nga viti 2019. Nga kjo pikëpamje, duke i pasur parasysh të gjitha këto gjëra, kryeministri Janev ishte kategorik se Bullgaria nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e saj”, tha Vasilev.

Quçuk theksoi se në bisedat ka intensitet të fortë diplomatik që të jepet dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ka një intensitet shumë të fortë diplomatik në bisedat që po udhëhiqen dhe kjo nuk është vetëm nga ana e Portugalisë. A mbani mend se sa fortë u përpoq kacelarja Merkel që në mënyrë politike dhe diplomatike ta lëvizë atë temë si pjesë e rendit të ditës së Këshillit evropian dhe ajo arriti sukses në qëllimet e saj, me një përjashtim të vogël, nuk arriti që Këshilli i atëhershëm të japë dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Quçuk.

Daljen nga gjendja aktuale Quçuk po e sheh në kthimin e besimit dhe respektimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga viti 2017. Vasilev nuk pajtohet me qëndrimet e ish- ministres së punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva.

“Për shembull, Sofja nuk kuptoi se në sytë e shumicës së qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në sytë e Evropës, Josip Broz – Tito nuk është krimineli të cilin ata e shohin dhe kur flet se disa gjëra duhet të mënjanohen dhe të harrohet Tito, të lihet anash Tito, të mohohet e gjithë kjo pjesë e historisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila ka të bëjë me Titon, ata njerëz në Sofje nuk e kuptojnë kompleksitetin e asaj që njerëzit nga ana tjetër e Deve Bairit e ndjejnë për Titon”, shtoi Vasilev.

Euro deputeti Quçuk shtoi se në marrëveshjen e Prespës thuhet se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë lidhshmëri me Greqinë antike dhe këtu vendoset pikë. Por, me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nga viti 2017 vendoset presje dhe ndoshta prej këtu vjen edhe pyetja më e madhe dhe më komplekse. Pyetje, përgjigjen e së cilës do ta zbulojë koha.