Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale ka kontrolluar 39 televizione dhe po aq radio të cilat kanë emetuar reklamim të paguar politik
“Deri më tani në Agjenci nuk ka arritur asnjë ankesë për çfarëdolloj baze, as nuk janë konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor. Të gjithë radiodifuzerët përpiqen t’i respektojnë obligimet që i kanë sipas Kodit Zgjedhor dhe shpresojmë se këtë do të vazhdojnë ta praktikojnë edhe në dy ditët e ardhshme, kur do të jetë heshtja zgjedhore”, deklaroi Ivana Stojanovska nga AShMAA.
Shkelje nuk janë regjistruar as gjatë periudhës parazgjedhore, kurse Agjencia do të dalë me raport të ri javën që vjen.
“Fushata zgjedhore ende po zgjat, deri sot. Gjatë javës së ardhshme, Agjencia pasi t’i përpunojë të gjitha të dhënat nga të gjitha mediat, do të kemi pasqyrë të detajuar lidhur me atë se si është raportuar gjatë fushatës zgjedhore”, shtoi Stojanovska.
Edhe fushatës mund t’i jepet notë pozitive, vlerëson komunikologu Bojan Kordallov.
“Së pari, është me rëndësi të bëjmë dallim mes fushatës së zezë dhe negative. Fushata e zezë është ajo kur vazhdimisht po flitet për njollosje ose diskreditim të plotë të kundërshtarëve politikë, e cila fatkeqësisht gjatë dekadave të fundit përdoret shumë dhe çon deri në apati dhe pakënaqësi te çdo qytetar. Kjo fushatë është e dëmshme në plan afatgjatë. Kurse, fushata negative është pjesë përbërëse e çdo fushate ose është pjesa e dytë e fushatës pozitive. Pse? Sepse kritika është e mirë dhe e mirëseardhur, por vetëm nëse është shoqëruar me ndonjë propozim apo zgjidhje”, tha Kordallov.
Kordallovi shton se partitë politike duhet të gjejnë mënyrë dhe të tregojnë se si do ta ndryshojnë këtë, gjegjësisht cilat janë hapat dhe projektet që i ofrojnë me qëllim që qytetarët të mos ballafaqohen me një dukuri të tillë negative.
“Mendoj se për këto zgjedhje më në fund pamë më shumë fushatë negative, sesa të zezë. Jo se nuk kishte, por shumë më e pranishme ishte fushata negative e cila është fazë pozitive e komunikimit të partive politike”, vlerëson më tej Kordallov.
Heshtja zgjedhore do të fillojë sonte në mesnatë dhe do të zgjasë deri të dielën në orën 19.
