Erdogan-Rama: Nuk do të lejojmë FETO t’i helmojë marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë

TË FUNDIT

Shqipëria dhe Turqia u pajtuan se organizata terroriste FETO përbën kërcënim për të dy vendet, duke shtuar se nuk do të lejojnë që kjo organizatë t’i helmojë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Ankarasë, është qëndrimi i përbashkët i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp në Ankara, transmetojnë mediat shqiptare.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi pas një takimi me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Ankara, Erdogan, siç njofton Agjencia Anadollu, tha se Shqipëria është një alet miqësor dhe vëllazëror, duke shtuar se dy vendet kanë jetuar së bashku për shekuj, kanë luftuar së bashku dhe kanë lënë gjurmë të pashlyera në histori.

“Në bisedimet me kryeministrin Rama folëm në mënyrë gjithëpërfshirëse mbi marrëdhëniet dypalëshe. Me rastin e vizitës, pak më parë firmosëm deklaratën politike për formimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit Lartë, me çka marrëdhëniet strategjike i ngritëm në nivel të partneritetit”, theksoi presidenti turk.

Në lidhje me banesat të ndërtuara nga agjencia turke e banimit TOKI në Shqipëri për të prekurit e tërmetit të vitit 2019, Erdogan tha ndërtimi do të përfundojë në gusht të vitit 2021 dhe banesat do t’u dorëzohen nevojtarëve.

Ai shtoi se këto banesa do të jenë një simbol i ri i fatit të përbashkët të dy vendeve.

Erdogan po ashtu tha se Turqia është investitori më i madh i huaj në Shqipëri me 3,5 miliardë dollarë, nëse përfshihen edhe shërbimet e kontraktimit.

“Mbi 600 firma tona që veprojnë në Shqipëri ofrojnë vende pune për rreth 15 mijë vëllezër shqiptarë. Planifikojmë rritjen e investimeve në fushën e infrastrukturës dhe turizmit në Shqipëri. Në këtë mënyrë, parashohim zhvendosjen e bashkëpunimit ekonomik në një dimension të ri”, shtoi ai.

“E konsiderojmë detyrë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë”, tha presidenti turk.

Kryeministri Rama e falënderoi për ndihmën e ofruar pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, duke theksuar se Erdogani “nuk vepron si shumë shtete gjatë pandemisë të cilat e ndërprenë ndihmën për Shqipërinë”.

Ndryshe, para takimit, dy vendet nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e mjekësisë, arsimit, infrastrukturës, deklaratën e përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, si dhe protokollin e bashkëpunimit për restaurimin e Xhamisë së Plumbit dhe projektin e sistemit për mbrojtje nga vërshimet.

Rama i cili sot e përfundon vizitën dyditore, u prit me ceremoni zyrtare ndërsa sot delegacioni shqiptar e vizitoi edhe muzeun e babait të Turqisë bashkëkohore, Mustafa Kemal Ataturk.