Në një përzgjedhje të vështirë, në një garë ku kishte filma nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore, si nga Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia – filmi “Era” i regjisores Parta Kelmendi u zgjodh filmi më i mirë në edicionin e 24-t të “Cinedays Festival of European Film” në Shkup.
“…tashmë e dini cili është… Filmi “Era”… Flet për “vjedhjen” e rinisë në fillim të luftës në Kosovë. Temë që rrallë përpunohet, edhe pse në vitet e 90-ta ishim dëshmitarë të shumë ngjarjeve të tilla. Në periudhë të eskalimit të tensioneve, rrallë e paraqitur në kinematografinë rajonale, kjo paraqet sfidë edhe për autorë me përvojë, e në veçanti për një regjisore debutuese. Me dialog minimal dhe qasje precize të regjisores, Kelmendi hap dhe mbyll shumë dilema, siç thotë protagonistja, “asnjëherë nuk isha mjaftueshëm e guximshme që të iki”! Kelmendi ishte mjaftueshëm e guximshme për ta sjellë këtë temë komplekse”, tha Ana Opaqiq, anëtare e jurisë.
“Ju falemnderit Cinedays dhe seleksionuesit që e përzgjodhi dhe jurisë për çmimin. Dua të ju përshëndes të gjithëve nga regjisorja Parta e cila gjendet në Paris dhe nuk mundej të ishte këtu. Gjithashtu dua të ju shpreh falënderime shumë të mëdha për gjithë ekipin e autorëve, drejtorin e fotografisë Naum Doksevski, skenografin Kiril Spasevski – Kikiç…. ekipin e madh të montazhit në Maqedoni, të cilin rrallë e shohim edhe në filmat maqedonas në numër kaq të madh…”tha Marija Dimitrova, Ko-Producente.
Përveç Ana Opaqiq, pjesë e jurisë ishin edhe Fatos Berisha dhe Jasmina Karajlloviq.
Filmi “Era” u vlerësua si një rrëfim i fuqishëm që rikthen kujtimet e viteve ’90 në Kosovë. Gjatë 94 minutave, rrëfimi ndjek një vajzë të re që detyrohet të lërë pas jetën e saj urbane në Prishtinë, duke u ballafaquar me realitetin e ashpër të një fshati ku duhet të ndërtojë një ritëm të ri jete. Përmes sfidave personale, marrëdhënieve me familjen dhe përplasjes me rregullat tradicionale, “Era” hap diskutimin për identitetin, lirinë dhe zgjedhjet individuale. Historia merr një kthesë tjetër me shfaqjen e një djali që ndihmon njerëzit të largohen nga vendi, duke e vendosur protagonisten përballë dilemës së madhe mes qëndresës dhe ikjes. Filmi prek thellë përvojat njerëzore të asaj kohe, duke nxjerrë në pah dimensionet sociale, kulturore dhe emocionale që formësuan jetën dhe vendimet e një brezi të tërë.
