“Era” kthehet me çmim nga New York

TË FUNDIT

Filmi “Era”, i regjisores Parta Kelmendi, mori çmim në Festivalin e Filmit në Brooklyn të New Yorkut.

Në mes të qindra filmave të shfaqur në këtë ngjarje, aktorja Zana Berisha, u shpall “aktorja më e mirë” e festivalit.

Gati katër mijë filma kanë aplikuar për Festivalin e Filmit në Brooklyn të New Yorkut, dhe vetëm 145 nga ta, në mes tyre edhe filmi me temë kosovare “Era”, janë përzgjedhur për t’u shfaqur në këtë festival.

Filmat nga 34 shtete u shfaqën mes datave 30 maj e 8 qershor, në mesin e tyre 36 premiera botërore.

Në ceremoninë përmbyllëse të Brooklyn Fillm Fest, aktorja Zana Berisha, që shfaqen në rolin kryesor në filmin “Era”, fitoi çmimin “aktorja më e mirë”.

Aktorja kosovare që u shpall më e mira mes aktorëve ndërkombëtarë në New York, Zana Berisha, u shpreh emocionuar për kêtë çmim.

Aktorja që portretizoi Erën, foli fjalë të mira për regjisoren Parta Kelmendi dhe gjithë ekipin e filmit.

Në Festivalin e Filmit në Brooklyn, çmim mori edhe një kosovare. Filmi nordik “Dandellion” i regjisores shqiptaro-suedeze Fiona Obërtinca u shpall Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër.

Regjisorja me prejardhje nga Kosova, Fiona Obërtinca nuk ishte e pranishme për ta pranuar këtë çmim.
Ndërkohë, në këtë ngjarje filmike në Brooklyn , për filmin Era u fol. U diskutua për të si një rrëfim i thellë nga vitet e 90-ta në Kosovë, që, me skenar dhe regji nga Parta Kelmendi, sjell në ekran një histori të ndjeshme nga vitet e turbullta të Kosovës së okupuar.

Me një gjatësi prej 94 minutash, filmi ndjek jetën e një vajze të re, e cila detyrohet të braktisë jetën urbane në Prishtinë dhe të përshtatet me realitetin e ri dhe të ashpër të jetës në fshat.
Përmes sfidave të saj, marrëdhënieve familjare dhe përballjes me normat tradicionale, “Era” eksploron çështje të identitetit, lirisë dhe zgjedhjes personale.

Takimi me një djalë që ndihmon njerëzit të arratisen nga vendi i jep ngjarjes një tjetër dimension – atë të dilemës mes ikjes dhe qëndresës.

Ky rrëfim prek historitë njerëzore, duke sjellë në vëmendje dinamikat sociale, kulturore dhe emocionale që ndikuan në vendimet jetësore të një brezi të tërë./RTV21/21Media