Disa ekspertë të mjekësisë ligjore kanë njoftuar të hënën gjetjet e një analize, për të cilat pretendohet se tregojnë se Jeffrey Epstein është vrarë gjatë kohës që ndodhej në paraburgim, duke kundërshtuar përfundimin e Zyrës së Ekzaminuesit Mjekësor të Qytetit të New Yorkut, sipas të cilit financieri i dënuar për sulm seksual është vetëvrarë.
Trupi i Epsteinit është gjetur i varur në qelinë e tij në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në New York më 10 gusht 2019. Në atë kohë, ai ishte nën mbikëqyrje për rrezik vetëvrasjeje.
Në një deklaratë për CNN-in, Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qytetit të New Yorkut ka thënë se “qëndron pas përcaktimit të saj” se Epsteini u vetëvra dhe se mënyra e vdekjes ishte varja.
Megjithatë, autorët e një prezantimi të mbajtur të hënën në Londër, Michael Freeman, studiues dhe konsulent në epidemiologjinë e mjekësisë ligjore, Anders Eriksson, patolog mjekoligjor dhe profesor i mjekësisë ligjore në Universitetin Umea të Suedisë, si dhe Itiel Dror, neuroshkencëtar kognitiv dhe studiues, kanë thënë se nuk ka prova se ka ndodhur një varje.
Pas shqyrtimit të të gjithë dosjes së autopsisë dhe realizimit të rindërtimi të ngjarjes, autorët pretendojnë se lëndimet e Epsteinit përputhen me një sulm dhe përleshje, dhe se ai është vrarë.
“Gjurmët e litarit në qafë përputhen më së shumti me një mbytje kriminale nga prapa, me shumë gjasë duke përdorur një copë të ngushtë pëlhure të lidhur nyje”, thuhet në prezantim.
Një javë pas përcaktimit fillestar të shkakut të vdekjes së Epsteinit, avokatët e tij kanë deklaruar se nuk ishin të kënaqur me përfundimet dhe kërkuan një shqyrtim më të hollësishëm të kushteve në burg.
Si FBI-ja, ashtu edhe Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, kishin hetuar rrethanat e vdekjes së personit të akuzuar për trafikim seksual.
Gjetjet e së hënës nxjerrin në pah skepticizmin e vazhdueshëm të publikut ndaj përfundimit se ai kreu vetëvrasje. Autorët e analizës pretendojnë se dyshimet janë “të përhapura në SHBA” dhe kanë nxitur teori konspirative lidhur me mënyrën se si ai vdiq.
Në vitin 2019, Epstein u akuzua se kishte drejtuar një rrjet të trafikimit seksual, në kuadër të të cilit kishte abuzuar seksualisht me dhjetëra vajza të mitura.
Ai akuzohej se kishte drejtuar një aktivitet të tillë nga viti 2002 deri në vitin 2005, duke u paguar vajzave deri në qindra dollarë në para të gatshme, për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Disa prej tyre ishin vetëm 14 vjeçe. Abuzimet dyshohet se ndodhnin në shtëpinë e tij në zonën Upper East Side të New Yorkut dhe në pronën e tij në Palm Beach.
Dosjet që lidhen me Epsteinin janë bërë publike gjatë vitit të fundit, përmes disa publikimeve të njëpasnjëshme të dokumenteve. Në publikimin më të fundit dhe më të gjerë, Departamenti i Drejtësisë nxori miliona dokumente, përfshirë email-e, mesazhe tekstuale, fotografi dhe materiale të tjera, pasi Kongresi miratoi në nëntor një ligj që kërkonte transparencë dhe publikimin e të gjitha dokumenteve, duke e detyruar administratën e presidentit Donald Trump të vepronte.
Edhe pse dokumentet nuk arritën të konfirmonin disa prej teorive konspirative që lidhen me Epsteinin, siç është pretendimi se ai kishte një listë klientësh të cilët i shantazhonte, ato kanë shkaktuar shqetësim te shumë figura të fuqishme në mbarë botën.
Dokumentet kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet e shumta të sikletshme që Epsteini kishte me drejtues të kompanive të mëdha, miliarderë, anëtarë të familjeve mbretërore, zyrtarë qeveritarë në SHBA dhe jashtë saj, si dhe figura të medias.
Në një intervistë për gazetën The New York Times, Freeman, shkencëtar i mjekësisë ligjore që merret me analizimin e vrasjeve, ka thënë se nuk e ka idenë se kush mund ta ketë vrarë Epsteinin dhe se kjo nuk është ajo që e shqetëson.
Ai tha se është përqendruar te mangësitë që, sipas tij, janë vërejtur gjatë hetimit të vdekjes dhe në raportin e autopsisë.
“Gjithçka që më intereson është se si arriti kjo çështje të dalë kaq shumë jashtë kontrollit?”, ka thënë ai për gazetën.
