Simptomat e pacienteve në Gostivar vazhdojnë të jenë të njëjta. Të vjella dhimbje barku e diarre.
“Vjellje, barku me dhemb normal. A është prej ujit apo virozë është nuk e dimë çka është. Ka tre katër dite kjo. Pardje isha mora një infuzion dhe sot sërish. Shumë shume ka të sëmurë interesant kjo”
“Erdha të marr edhe një infuzion. Nuk ndihmon asgjë, injeksion mora, kokrra pi. Se di, habitemi edhe ne. Ka shumë të sëmurë. Kam gruan të sëmurë gjithë familjen por mua me shumë më ka prek”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Spitalin e Gostivarit janë paraqitur rreth 300 pacientë, ndërsa nga Qendra për Shëndet Publik thonë se janë duke marrë të gjitha masat për të mësuar se prej nga vjen ky virus.
“24 orët e fundit situata është relativisht e njëjtë si ditët e kaluara. Sot ka rreth 167 pacientë në repartin infektiv nga të cilët 20 janë kontroll. Në urgjencë janë paraqitur 18 pacientë dhe në repartin e pediatrisë janë paraqitur rreth 104 fëmijë dhe vetëm një është i hospitalizuar. Gjitha masat epidemiologjike janë ndërmarr dhe që nga shpallja gjithë epidemiologët janë në terren bashkë me mjekët e higjienës. Krahas tyre bëhen edhe kontrolle shtesë dhe janë marr mostra uji edhe në çezmat e pacientëve që janë paraqitur me simptomë. Anketat epidemiologjike luajnë rol shumë të rëndësishëm për diagnostifikim sepse ajo tregon çka ka përdor kohëve të fundit a e lidh diçka me Gostivarin dhe ne i lidhim vazhdimisht”, theksoi Shaqir Zylbeari, Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.
Teksa Gostivari ndodhet në gjendje me epidemi, drejtori i Spitalit të Gostivarit, Emri Bajrami, nuk pranon të japë të dhëna për gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar në këtë spital.
