Ka rënë dukshëm numri i pacientëve pas helmimit nga uji në Gostivar. Sipas Drejtorit të spitalit, në 24 orët e fundit janë paraqitur rreth 110 pacientë, ndërsa ka edhe nga ata që vijnë për të vazhduar kontrollet.
“Për 24 orët e fundit kemi rënie drastike të numrit të pacientëve. Në pediatri kemi 46 pacientë, kurse në infektologji 60. Këta janë pacientë të rinj, ndërsa rikontrolle kemi 24 në repartin infektiv dhe vetëm 9 në pediatri. Domethënë, kemi rezultate shumë të kënaqshme”, theksoi Emer Bajrami, drejtor i Spitalit të Gostivarit.
Edhe Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se trendi i epidemisë është në rënie. Nga informacionet e djeshme që kishte rreth 290 pacientë, sot janë rreth 190, tregoi ai. Siguroi se autoritetet po monitorojnë nga afër gjenjen shëndetësore të pacientëve.
“Ne vazhdojmë me mbështetje të të gjitha aktiviteteve epidemiologjike që janë të domosdoshme të vërtetohet kronologjia e ngjarjes, që pas disa herëve, të ndalojnë këto incidente në Gostivar, pasi ky nuk është rasti i parë, dhe duam të jetë rasti i fundit dhe të tregojmë se mund të funksionojmë në mënyrë adekuate”, pohoi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Klekovski kërkoi që të mos ketë “përfitues” nga epidemia, duke u bërë thirrje mjekëve që nuk janë epidemiologë ose specialistë të sëmundjeve infektive të mos japin këshilla dhe opinione të ndryshme për situatën. Sipas tij, nuk ka virus që nuk mund të zbulohet, por më e rëndësishmja është që të ndiqen rekomandimet dhe uji të mos konsumohet ende.
Përndryshe, pacientët e parë me simptoma helmimi në Gostivar u paraqitën më 14 korrik, ndërsa dy-tre ditë më pas numri i tyre arriti deri në 600 pacientë në ditë. Ata kishin të vjella, diarre dhe dhimbje barku.
