Epidemia ndryshon përditshmërinë e Gostivarit! Nga çezma te shishet e ujit dhe enët plastike

TË FUNDIT

​”Vetëm që të shmanget përdorimi i ujit të çezmës. Kështu shërbehet bubreku në një byrektore në qytetin e Gostivarit — me pirunë dhe pjata plastike”, raporton Senat Zylbehari, gazetar i TV21.

​Pronari i kësaj byrektoreje thotë se në këtë mënyrë po mundohen t’i respektojnë rekomandimet e dhëna nga institucionet përkatëse.

​“Sa ne jemi informuar, kemi një ndalesë për larjen e gotave apo pjatave. Prandaj kemi vendosur që të shërbejmë me pjata e pirunë plastike, pasi mendojmë se kjo është mënyra më e sigurt. Shpresojmë që në të ardhmen do të kemi sukses”, tha pronari i byrektores.

Qytetarët që anketuam kishin ardhur për të marrë ujë të pijshëm të siguruar nga komuna dhe qeveria. Ata shprehen se nga frika nuk e përdorin ujin e çezmës as për të larë duart e as për dush. Gjithsesi, ata konfirmojnë se furnizimi me ujë të pijeve është i mjaftueshëm.

​- Ujë ska, na e sjellin me shishe. Na e sjellin me shishe ose me kamionë, ne e marrim dhe e shfrytëzojmë për shtëpi, por as duart nuk duhet t’i lajmë me ujin e çezmës.

​Gazetari: ​A bëni dush me ujin e çezmës?

​-Jo, çfarë dushi! As duart nuk guxojmë t’i lajmë, e jo më të bëjmë dush… asgjë! Rrethanat janë të tilla dhe duhet t’u përmbahemi rregullave. Nuk guxohet, është e ndaluar rreptësisht.

​- Mua më dhemb shpirti për këtë rini, që të mos marrin ndonjë sëmundje…

MK ​”Nuk e shfrytëzojmë për asgjë. Përdorim ujë të blerë ose mbushim nga çezmat anësore, kjo është e gjitha.”

​Rekomandimet e institucioneve mbeten të prerë: uji i çezmës në Gostivar të mos përdoret as për larje e as për pije. Në qytet vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, pasi pesë ditë më parë u shpall zyrtarisht epidemia.