Ende nuk ka marrëveshje mes BDI-së dhe LSDM-së, këtë javë do të kompletohet kabineti qeveritar, Xhaferi pret për komisionet

TË FUNDIT

Ende nuk ka marrëveshje mes partnerëve të koalicionit të pushtetit për eshalonin e dytë dhe të tretë të pushtetit, edhe pse kryeministri Zaev paraprakisht paralajmëroi se në fillim të kësaj jave deri te Kuvendi do të parashtrohen propozimet për zv.ministra. Ai tha se me shumë gjasa deri në fund të javës do të arrihet marrëveshje.

 “Besoj se deri në fund të kësaj jave do të përfundojmë të gjithë konsultimet dhe bisedat me kandidatët potencial për zv.ministra që të mundem si mandatar, tashmë si kryeministër, t’i dorëzoj në Kuvendin e RMV për sjelljen e vendimit. Sigurisht është proces në të cilin bisedohet me kandidatët, me partnerët, dëshirojmë të zgjedhim më cilësorët nga ajo që e kemi si ofertë”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Sekretari organizativ i BDI, Grubi, para disa ditëve tha se do të ketë këmbim të resorëve.

 “Vlerësoj se do të ketë këmbime midis dy partive tona që marrim përgjegjësi shtesë dhe të dëshmojmë kapacitetet tona edhe në detyra të reja”, deklaroi Sekretari Organizativ i BDI-së, Artan Grubi.

Ka ngecur edhe formimi i komisioneve parlamentare, andaj Parlamenti nuk mund të punojë. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi ende pret që partitë të arrijnë marrëveshje që të mund të thirr seancë. Por nga VMRO-DPMNE thonë se ata i kanë parashtruar propozimet, ndërsa pengesa e vetme për formimin e komisioneve është që nuk ka propozime nga pushteti.

 “Grupi i deputetëve i VMRO-DPMNE para disa ditëve e dha pjesën e propozimeve të saja për komisionet dhe trupat e punës në Kuvend. Cili është problemi, ku ka problem dhe ngecje shumica parlamentare në marrëveshje mes tyre, cili të udhëheq cilin komision dhe në cilën mënyrë funksionojnë, do të kërkoni përgjigje prej tyre”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Por marrëveshje ende nuk ka mes partnerëve të koalicionit. Jo zyrtarisht nuk ka marrëveshje rreth posteve të kryetarëve të Komisioneve. Burime partiake thonë se problemi më i madh është Komisioni për çështje evropiane, për të cilin insiston BDI, por postin udhëheqës e kërkon edhe BESA. Komisionet nuk janë formuar por Zaev pohon se nuk ka probleme.

 “Edhe këtu  ekziston ai debat, kështu që besoj se do të gjejmë zgjidhje këto ditë”, potencoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ende nuk janë ndarë as postet në eshalonin e tretë të pushtetit. Sipas informacioneve jo zyrtare poste drejtorësh  BDI do të marrë në MEPSO, Ndërmarrja “Rrugët Shtetërore”, Agjencia për Komunikime elektronike, Navigacionin Ajror “M-NAV” dhe Agjencinë e barërave “Malmed”.