Ekspozohet letra e rrallë e Nënë Terezës në shqip

TË FUNDIT

Tre dorëshkrime të Nënë Terezës, përfshi një letër e cila vjen për herë të parë në origjinal për sytë e publikut, u ekspozuan në vigjilje të ditës së shenjtërimit të saj në COD, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe akademikëve.

Letra që ekspozohet për herë të parë në origjinal daton më tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip. Ajo ka qenë në fondin e papërpunuar të Ramiz Alisë dhe u evidencua gjatë procesit të përpunimit vetëm pak ditë më herët.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni” shkruante Nënë Tereza në letrat e saj, dorëshkrime të cilat ruhen me shumë kujdes në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

 “Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. “Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”. “Të duash të të duan, kjo është jeta”. Këta janë fjalët në gjuhën shqipe, me të cilat Nënë Tereza do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Ekspozita “Nënë Tereza, Shenjtorja Shqiptare” do të qëndrojë e hapur në COD sot, datë 5 shtator 2020 nga ora 09:00 deri në orën 21:00.

Hyrja në ekspozitë është e lirë, duke respektuar rregullat mbi masat kufizuese të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në vijim ekspozita do të projektohet në fasadën e jashtme të ndërtesës së Kryeministrisë në datat 5, 6 dhe 7 shtator 2020, nga ora 20:00 deri në mesnatë.