Në shtatë eko-autobusë të NQP-së Shkup, në linjat 2, 5, 15, 24 dhe 50, nga dje, është vendosur ekspozita “5 nuancat e ajrit” e cila do të zgjasë një muaj, në organizim të ambasadës suedeze dhe Organizatës joqeveritare “Eko-vetëdija”.
Muajin e kaluar, Ambasada organizoi konkurs për fotografi amatore që e tregojnë problemin e ndotjes së ajrit, si dhe zgjidhjet e mundshme që çdo individ mund të aplikojë për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Si partner në disa nga aktivitetet është projekti “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit në Shkup”, financuar nga Agjencia suedeze për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar – Sida, ndërsa e zbaton Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Nga 115 fotografitë që mbërritën nga disa qytete të vendit, juria përzgjodhi 36 që janë pjesë e ekspozitës udhëtuese, ndërsa prej tyre tre u zgjodhën si fitues të konkursit.
Siç kumtoi Ambasada suedeze, çmimi i parë është një pastrues ajri “BluEr” dhe sigurohet nga kompania suedeze “BluEr” dhe përfaqësuesi i tyre për Maqedoninë e Veriut “Ekotip”, çmimi i dytë është gjithashtu një pastrues ajri nga “BluEr” dhe sigurohet nga Ambasada, ndërsa çmimi i tretë – një çantë shpine alpinizmi, termos, bluzë fitnesi, të siguruar nga “Eko-vetëdija”.
Paralelisht me ekspozitën udhëtuese, në ditët në vijim do të fillojë edhe një fushatë në mediat sociale për ta rritur ndërgjegjësimin në lidhje me ndotjen e ajrit dhe shkaqet e saj, si dhe mënyrat e mundshme në të cilat secili individ mund të kontribuojë për një ajër më të shëndetshëm dhe më cilësorë.
Fushata mund të ndiqet edhe në faqen në Fejsbuk të Ambasadës së Suedisë dhe në profilin në Instagram të Ambasadës: @SwedenInMK.
