Politikisht e rëndësishme, por ekonomikisht nuk mund të presim bum, sepse Maqedonia nuk ka një shkallë të madhe të shkëmbimit tregtar me SHBA-të. Këto janë reagimet e një pjese të ekonomistëve për Kornizën për Marrëveshjen e ardhshme për “tregti të drejtë dhe reciproke” midis Maqedonisë dhe SHBA-ve. Sipas disa prej tyre, ajo ka më shumë peshë politike sesa ekonomike, dhe në të ata shohin një asimetri, jo reciprocitet.
“Edhe nëse Maqedonia i heq të gjitha produktet industriale dhe bujqësore amerikane, dhe SHBA ruan normën prej 15 për qind, formalish nuk mund të thuhet se është reciprocitet, kjo është njëfarë asimetrie e tregut, por gjithsesi nuk kemi ndonjë efekt të madh. Për të përmbledhur, politikisht marrëveshja ka mundësi politike, pra duhet parë si pozitive, por nga aspekti ekonomik nuk mund të presim që të realizohet ndonjë bum ekonomik”, tha Abil Baush – profesor universitar.
Për profesorin universitar Sinisha Naumoski, pozitiv është fakti që po përgatitet si marrëveshje dhe çdo bashkëpunim midis SHBA dhe ekonomisë së Maqedonisë në lidhje me qëllime strategjike është i dobishëm. Sipas tij, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të dimë cilat janë ato dispozita kyçe lidhur me produktet që tani paralajmërohen si ulje nga 15 për qind tatimi doganor.
“Në shkëmbimin tregtar total, shtetet amerikane nuk janë një pjesë kaq influente, nëse bëjmë krahasim ose paralelizëm me Bashkimin Evropian, por sigurisht kjo është për t’u përshëndetur, sepse mund të jetë një motivator ose një informacion pozitiv për sipërmarrësit aktualë ose të ardhshëm dhe ata që duan të bashkëpunojnë më fuqishëm me shtetin amerikan dhe kompanitë atje, dhe këtë mund ta them kryesisht nga përvoja edhe me diasporën maqedonase”, u shpreh Sinisha Naumoski – profesor universitar.
Kryeministri Mickoski, në postimin e tij në rrjetet sociale për marrëveshjen, njoftoi se 64 produkte tona do të eksportohen me doganë nga zero deri në 6 për qind. Ndryshe, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vitin 2024 nga Statistika Shtetërore, shkëmbimi tregtar total midis Maqedonisë dhe SHBA është rreth 314,2 milionë dollarë. Eksporti është rreth 118 milionë dollarë, dhe shënohet deficit në shkëmbim.
