Ekspertët parashikojnë rritje të mëtejme të çmimit të arit

TË FUNDIT

Çmimi i arit në fillim të muajit e kaloi pragun prej 2,000 dollarëve për unc, nivel që nuk është shënuar që nga shtatori i vitit 2011.

Sipas analistëve, çmimi i arit do të vazhdojë të rritet.

“Shumë lehtë çmimi i arit mund të arrijë në 4,000 dollarë”, deklaroi drejtori ekzekutiv kryesor i kompanisë së investimeve “Investitorët Global amerikan” (US Global Investors), Frenk Holms.

Ai shtoi se miliarda dollarë janë duke u derdhur në flukset financiare në mënyrë që ta mbështesin ekonominë amerikane gjatë pandemisë Kovid-19. Holms theksoi se ministrat e financave të G20 dhe bankat qendrore “punojnë së bashku si një kartel dhe të gjitha shtypin miliarda dollarë”.

“Asnjëherë më parë nuk kemi parë që bankat qendrore të shtypin kaq shumë para me një normë zero interesi. Me interes zero, ari bëhet një pronë shumë, shumë tërheqëse e klasit të parë”, theksoi Holms.

Derisa strategu kryesor i investimeve të kompanisë për menaxhimin me pasurinë BMO, Jung-ju Ma pajtohet që ka një numër faktorësh që nxisin rritjen e mëtejshme të çmimit të arit. Ai theksoi se dy ngjarje madhore në periudhën e fundit mund ta ndryshojnë drejtimin e lëvizjes së çmimit të arit.

“Ne vetëm jemi të kujdesshëm me vlerësimin e efekteve të ardhshme të këtyre faktorëve … veçanërisht kur e dimë se po përballemi me dy ngjarje madhore që mund ta ndryshojnë kursin aktual. Një, natyrisht, është zhvillimi i vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa ngjarja e dytë janë zgjedhjet në SHBA”, theksoi Jung-ju.

Ai shtoi se vaksina në veçanti ka potencialin për t’i ndryshuar disa nga faktorët pozitivë që aktualisht janë në favor të arit.