Një qendër burimore prej ekspertëve të ndryshëm pritet të formohet nga Ministria e vetëqeverisjes lokale për t’u ardhur në ndihmë komunave rurale, të cilat nuk kanë resurse të mjaftueshme njerëzore. Ministri Zllatko Perinski tha se ky trup ekspertësh do të angazhohet në disa fusha ku ka mungesë të të punësuarave të kualifikuar për të kryer veprime administrative dhe shërbime teknike të qytetarëve.
“Ky do të jetë një trup i cili do të filloj të integrohet në bazë të projekteve dhe pastaj do ta analizojmë në kuadër të Ministrisë së Vetëqeverisjes lokale. Si një nga aktivitet e Qendrës burimore do të jetë mundësia që komunat sipas të gjitha burimeve të tyre dhe kompetencave nga ky trup të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje të ekspertëve për të tejkaluar një problem që ballafaqohen në një moment që nuk kanë resurse njerëzore për ta tejkaluar”, tha Perinski.
Perinski tha se kjo u krijua me kërkesë të komunave të cilat nuk kanë burime të mjaftueshme njerëzore andaj ky grup do t’u përgjigjet në baza ditore kërkesave teknike dhe administrative të qytetarëve që nuk do mund të kryhen nga punonjësit aktual të komunave.
“Në periudhën e kaluar kemi pasur problem që shfaqej më së tepërmi tek komunat e vogla rurale, nuk do ta them se cila por kishte një komunë që nuk mund ta krijonte buxhetin e vet për vitin e ardhshëm sepse në ato momente nuk e kishte kuadrin adekuat. Një të punësuar që kishin për momentin nuk ishte në punë për shkak të pushimit mjekësor apo s’më kujtohen arsyet, dhe këtu do të duhej që ne të intervenojmë me shtytjen e ekspertëve të ndërhyjmë në administratën komunale për t’i tejkaluar këto sfida”, tha më tej Perinski.
Qendra duhet të konceptohet si një mekanizëm institucional, tha Perinski, që do të mundësojë mbështetje afatgjatë, të qëndrueshme dhe nga ekspertë për komunat.
