Ekonomia merr rreth 145 milion euro nga Qeveria, ndihmë kanë marrë mbi 20 mijë kompani dhe rreth 120 mijë të punësuar

TË FUNDIT

Rreth 120 mijë të punësuar dhe më shumë se 20 mijë kompani kanë marrë ndihmë financiare nga Qeveria, ndërsa më së paku 145 milion euro janë shpenzuar për ekonominë, informoi zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

 “Me siguri pohoj se më së paku 145 milion euro janë injektuar në ekonomi. Do përmend, rreth 79 milion ishin me mjete të drejtpërdrejta si subvencione të pagave që shkonin te kompanitë, këtu nuk i numëroj kartelat pagesore që në fund përfunduan në ekonomi me 27.6 milion euro”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zv.kryeministër për Çështje Ekonomike.

Këtu janë edhe linjat kreditore pa interes që janë shfrytëzuar, siç është linja kreditore nga Banka evropiane e investimeve në vlerë prej 51 milion euro” theksoi zv.kryeministri. Masat, sipas Bytyqit, kanë dhënë rezultat ndërsa kanë qenë në kohë dhe të targetuara. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pse mbështetja nuk u jepet në mënyrë direkte të punësuarve, Bytyqi tha se përgjegjësia për pagesën e pagave i takon kompanive, përndryshe do të thyhej parimi i tregut. Dje edhe kryetari i Lidhjes së sindikatave, Darko Dimovski, e theksoi këtë problem.

 “Dua të apeloj deri te punëdhënësit e pandërgjegjshëm të cilët në të kaluarën nuk i dhanë subvencionet që i morën që nga marsi e deri në gusht, të mos e bëjnë këtë përsëri, për shkak se ne si LSM kërkuam të futet edhe një nen për mbrojtje të punëtorëve, në të cilin thuhet qartë se kundër secilit punëdhënës që do të marrë subvencione të cilat nuk do t’i paguajë punëtorëve në  tërësi, do të ngritët kallëzim penal i cili është i njëjtë si masa burgu”, theksoi Darko Dimovski – Kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Bytyqi shpjegoi se edhe pagesa e pagave do të kryhet varësisht asaj se sa dëm ka pësuar kompania nga korona kriza. Sipas tij rebalanci i Buxhetit do të përfundojë deri në fund të javës. Do të ketë shkurtime të, siç tha, asaj që nuk do të mund të realizohet deri në fund të vitit. Sipas tij, ekziston mundësi që deficiti të rritet, ndërsa projeksioni për BPV është me rënie prej 4%.