Dhjetë autoambulanca, të kompletuara me pajisje dhe aparaturë mjekësore, i dhurohen Shtëpive të Shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani që ndodhemi në periudhë pandemie, kur nevojat e popullatës për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm. Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi tha se kjo nismë është marrë nga Lazim Destanit.
“Në këtë periudhë dyvjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshillëdhënës, z.Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se ky donacion do të jetë një kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19”, tha Seid Jusufi, përfaqësues i Ekolog.
Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski tha se ky donacion do t’u shërbejë shumë spitaleve në vend pikërisht tani në kohë pandemie.
“Sot jam këtu që në emrin tim në emër të ministrisë së Shëndetësisë dhe në emër të Qeverisë së Maqedonisë ta falënderoj kompaninë Ekolog nga Tetova për donacionin human për dhurimin e dhjetë autoambulancave të përgatitura me pajisje, edhe atë dy në Tetovë edhe nga një në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip”, tha Stojanovska.
Autoambulancat janë të kompletuara pajisura me aparate për oksigjen, defibrilatorë të lëvizshëm, si dhe shumë pajisje tjera mjekësore të nevojshme për ndihmën e shpejtë.
