Ekipi kilian regjistroi shenja të mundshme jete nën rrënojat në Bejrut

TË FUNDIT

Ekipet kiliane të shpëtimit në Bejrut po kërkojnë shenja jete nën rrënojat pasi një makinë zbuloi zëra, transmeton CNN.

Akoma është duke vijuar kërkimi pas shpërthimit në portin e Bejrutit më 4 gusht, në të cilin jetën e humbën të paktën 180 persona, janë lënduar rreth 6.000 ndërsa rreth 300.000 mbetën pa çati mbi kokë.

Ekipet e shpëtimit në Bejrut dje detektuan lëvizje nën rrënojat në rajonin Mar Mihael, 30 ditë pasi shpërthimi e tronditi qytetin.

Ekipi kërkoi nga banorët të jenë të qetë në vendin e ngjarjes për ta përcaktuar burimin e lëvizjes.

Kjo ka ndodhur pasi një qen shpëtimi nga ekipi kilian i shpëtimit dha shenja se ndonjë persona akoma mund të jetë i gjallë nën rrënojat.

Fotografitë termike i tregojnë dy trupa; një trup i vogël i afruar pranë një trupi të madh dhe cikël prej 18 frymëmarrjesh në minutë është incizuar në pajisje, deklaroi për CNN Edi Bitar, punonjës lokal joqeveritar i cili po punon me ekipin kilian.

“Ato janë 18 frymëmarrje në një minutë. Janë të vogla mundësitë njeriu akoma të jetë gjallë”, tha Bitar. Qeni gjurmues i ekipit ka reaguar në vendin e ngjarjes derisa ata kanë kaluar pranë ndërtesës, duke e stimuluar goditjen”, tha ai.

Francisko Lermanda i organizatës joqeveritare kiliane për hulumtim dhe shpëtim “Topos Çile” në Bejrut deklaroi se ekipi i shpëtimit po hap tunele që të mund të qaset në vendin ku mund të jetë trupi apo i mbijetuari.

Lermanda tha se janë duke i hapur tre tunele, nga njëra anë, nga pjesa e sipërme dhe e pasme, që të tentojnë të fitojnë qasje në lokacion. Distanca nga lart është 2,4 metra dhe 1,8 metra prej anash, deklaroi ai për CNN.

Ai tha se pasi kanë hapur një metër, qeni Fleç i cili i kishte paralajmëruar ekipet e shpëtimit për mbetjet, sërish i ka paralajmëruar ekipet. Lermanda tha se edhe pse kjo nuk do të thotë se ndonjë person është i gjallë nën rrënojat, ata do të sillen me supozim të tillë derisa kjo gjë të dëshmohet si jo e saktë.

Lermanda shtoi se betoni dhe materiali janë aq të trashë sa që është shumë detyrë precize dhe se ata nuk mund të përdorin kurrfarë makine për të mos rrezikuar jetën e ndonjë të mbijetuari eventual.

Ai tha se nuk e di se sa kohë nevojitet për të arritur tek vendi, por ata nuk do të ndalen këtu derisa nuk arrijnë aty.

Lermanda shtoi se më së shumti që ka parë dikush të ketë mbijetuar nën rrënoja është një njeri në Haiti i cili është gjetur pas 28 ditësh.