eDMS drejt një transformimi të plotë! Andonovski: Sistemi elektronik i dokumenteve do të modernizohet nga themeli

TË FUNDIT

Sistemi Elektronik Kombëtar për Menaxhimin të Dokumenteve – eDMS, një nga shtyllat kyçe të administratës digjitale në vend, pritet të përjetojë një transformim të thellë. Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi se ky sistem do të ridizajnohet dhe modernizohet në tërësi, pas vlerësimeve që kanë treguar mangësi serioze në funksionimin e tij aktual. Ndërkaq, vetëm 20 institucione publike e përdorin eDMS-in, ndërsa vetë sistemi është vlerësuar si i paqëndrueshëm, teknologjikisht i vjetërsuar dhe pa standarde të nevojshme të sigurisë kibernetike apo mbështetje teknike, tha Andonovski.

“Është një sistem i shtrenjtë, por jofunksional që përdoret vetëm në 20 institucione. Në dy vitet e fundit, nuk ka pasur mbështetje teknike, mirëmbajtje apo zhvillim. Nuk kishte standarde të sigurisë kibernetike dhe askush nuk kujdesej për sigurinë e sistemit. Ndërprerjet dhe rrëzimet e shpeshta e bënë sistemin të paqëndrueshëm. Ai përdorej ekskluzivisht si një kabinet arkivor elektronik, pa përdorimin e arkivimit ose përpunimit dixhital të dokumenteve”, tha Stefan Andonovski – ministër për Transformim Digjital.

Reforma e eDMS-it do të jetë bazë për një administratë publike më efikase, transparente dhe të integruar në epokën digjitale, theksoi Andonovski.

“Me këto ndryshime për qytetarët do të kemi administratë më efikase, transparencë dhe më pak burokraci, qasje online dhe mundësi për kontroll. Për institucionet kjo domethënë platformë e integruar e cila funksionon, lidhje në mes tyre, reduktim i gabimeve dhe optimizim i resurseve, e kështu nuk do të duhet që çdo institucion të krijoj dokument menaxhues sistem të vetin”, theksoi Stefan Andonovski – ministër për Transformim Digjital.

Ai theksoi se synojnë që eDMS të jetë një sistem plotësisht funksional, i sigurt dhe i integruar deri në fund të vitit, me përpunim të automatizuar të dokumenteve dhe aftësinë për të ndjekur rastet në kohë reale, dhe gjithashtu njoftoi se nga 1 tetori 2025, ministria do të eliminojë plotësisht dokumentet në letër nga operacionet e saj.