Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka prezantuar platformën online të komunikimit në Partinë Socialiste. Sipas Ramës platforma online e komunikimit brenda Partisë Socialiste do të jetë mekanizmi kryesor për vlerësimin e kandidatëve për deputetë në çdo qark.
Por kryeministri Rama nuk i kurseu sulmet ndaj Presidentit Ilir Meta. Ai para gazetarëve tha se Ilir Meta është kryetar i Shtabit Elektoral të opozitës që e përdor zyrën e Presidentit të Republikës.
“Më vjen shumë keq por është fakt që Ilir Meta është shveshur plotësisht nga roli i Presidentit tashmë dhe është zhytur i gjithi në një fushatë politike për të shpëtuar nga falimentimi ShPK-në siç e ka përcaktuar Lulzim Basha, të Monikës. Mos prisni asgjë tjetër nga Ilir Meta deri më 25 prill përveç përshkallëzimit të retorikës që na turpëron të gjithë ne. Ilir Meta është thjesht kryetari i Shtabit Elektoral të opozitës që përdor zyrën e Presidentit të Republikës. Më i mërzitur nga të gjithë është Ilir Meta. Do të humbë thellë kësaj here. Ilir Meta i është borxhli më shumë këtij vendi. E ka bërë kryeministër, kryetar Parlamenti dhe President. Çfarë do ky njeri që nuk rri rehat. Edhe pozicioni ku qëndron është pozicion i zgjedhur për të qenë i treti i vërteti“, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
