Mospajtime dhe inate. Takimi i katërt i Dialogut Zhan Mone ku negociohet për Rregulloren e re, kaloi pa opozitaren VMRO-DPMNE. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se edhe takimi paraprak u prolongua për shkak të VMRO-DPMNE-së për shkak të obligimeve partiake, ndërsa edhe për takimin e sotëm që u paralajmërua më 2 nëntor, prej atje arriti paralajmërim se nuk do të marrin pjesë. Qëllimi është që të ketë zgjidhje konsensuale, ndërsa në lidhje me mospjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së, Xhaferi tha se në takim ka pasur përfaqësues të tjerë të opozitës.
Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski e thirri opozitaren VMRO-DPMNE të mos vazhdojë të jetë partia që përsëri do të marrë kritika në raportin e KE-së për mospjesëmarrje në këtë dialog.
“Fjalia ime e parë që e thashë sot ishte thirrja deri tek opozita që të kyçen dhe të gjithë së bashku ta miratojmë Rregulloren që do të sjellë funksionim të Kuvendit. Ne ndoshta flasim brenda këtij mandati, mund të flasim edhe në mandatin tjetër, megjithatë qëllimi ynë duhet të jetë Kuvend funksional pa dallim se kush është pushtet apo opozitë.”- deklaroi Jovan Mitrevski, Koordinator i LSDM-së.
Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski me vërejtje se për këtë takim ata nuk ishin konsultuar nëse mund të vijnë apo jo për shkak të obligimeve të caktuara paraprakisht. Ai tha se takimi i sotëm dhe vendimet e këtij takimi nuk janë kredibile për shkak të mungesës së partisë së tyre.
“Mënyra në të cilën u mbajt Dialogu i sotëm të Zhan Mones pa prezencë të partisë më të madhe opozitare ose koalicionit, hedh dyshim për kredibilitetin e këtij procesi. Sot nga VMRO-DPMNE paralajmëruan se nuk mund të marrin pjesë, njëjtë si javën e kaluar. Të mos më keqkuptoni, puna nuk është që të pengohet i gjithë procesi por të miratohet Rregullore që do t’u shërbejë të gjithë deputetëve në Kuvend.”- Nikolla Micevski, Koordinator I VMRO-DPMNE-së.
Ky ishte takimi i katërt i procesit të Zhan Mones ku përmes konsensusit duhet të merren vesh për Rregulloren e re për punën e Kuvendit. Në Raportin e këtij viti të KE-së u notuan disa vërejtje për punën e Kuvendit, mes të cilave edhe vërejtja se pa prolonguar duhet të miratohen propozimet për ndryshimet e Rregullores përmes procesit të Zhan Mones.
