Edhe tre mësues të infektuar me Covid-19! Një prindër pyet: Pse nuk u izoluan fëmijët?

TË FUNDIT

Edhe tre raste pozitive kanë rezultuar në kuadrin arsimor. Bëhet fjalë për dy mësues të komunës së Karposhit dhe një mësues të komunës së Qendrës.

Por, edhe pse kanë mbajtur mësim me prani fizike, nxënësit nuk i kanë dërguar në izolim, pasi siç njoftojnë nga të dy komunat, gjatë mësimit janë respektuar protokollet anti-kovid.

Se pse nuk u izoluan nxënësit, pyet një prindër që i mëson fëmija në shkollën “Dimitar Milladinov” në komunën Qendër.

“Fëmija im ndjek mësimin me prani fizike në klasën e dytë dhe bëhet fjalë jo për mësuesin e tyre, por për mësuesin e edukatës fizike i cili u mbante mësim më shumë klasave, i cili shtron çështjen se pse kjo është kështu kur nuk duhej të përziheshin fëmijët dhe mësuesit. E dyta, mbanin edukatë fizike në mjedis të mbyllur dhe jo në të hapur, kur jashtë ishte nxehtë dhe e treta, atë që e mësojmë nga fëmijët, nga më shumë fëmijë, nga më shumë klasa, është se maskat janë lëshuar ndër mjekër”, – prindër.

Thotë se fëmijët të enjten dhe të premten kanë pasur orë me mësuesin, e kanë mbajtur në këto kushte dhe testi pozitiv mësuesit i është vërtetuar ditën e diel. Ankohet edhe pse gjatë anketës epidemiologjike nuk është pyetur as ajo dhe as prindërit e tjerë nga Qendra e Shëndetit Publik.

“Nga qendra e shëndetit publik me menaxhmentin e shkollës kanë folur, se nëse janë respektuar protokollet nuk ka nevojë për izolim, pa realizuar anketë epidemiologjike me fëmijët dhe prindërit. Do të thotë është sjellë vendim i tillë, duke dëgjuar vetëm njërën palë”, – prindër.

Por, i pari i Qendrës, Sasha Bogdanoviq tha se kur realizohet anketa epidemiologjike nuk pyetën të gjithë prindërit, por këshillat prindëror të asaj shkolle. Sa i takon çështjes se pse edukata fizike është mbajtur në ambient të mbyllur dhe një mësues u ka mbajtur mësim më shumë paraleleve, thotë se pas kronikës sonë do të hetojë rastin dhe do të sjellë vendim.

“Ne do ta vërtetojmë tërë këtë dhe do të ketë pasoja nëse ndonjëri ka shkelur ndonjë procedurë apo diçka çfarë ka qenë e nënshkruar nga ana jonë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, u shpreh Sasha Bogdanoviq – Kryetar i Qendrës.

Kontaktuam edhe Qendrën e Shëndetit Publik. Drejtori Aleksandër Stojanov nuk dëshiroi të japë deklaratë për çështjen se si realizohet anketa epidemiologjike në shkolla dhe a janë pyetur prindërit dhe nxënësit për rastin në fjalë. Ai na drejtoi te shefi i sektorit për epidemiologji, por ai ishte i pakapshëm.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë njoftuar se 7 nxënës dhe 10 mësues që kanë pasur mësim me prani fizike janë të infektuarit më të rinj. Nga kur u hapën shkollat, në tërë territorin e shtetit njoftojnë se aktiv me Kovid-19 janë 42 nxënës dhe 65 mësues. Nga ata 29 nxënës janë nga shkollat fillore, 13 nga shkollat e mesme, 47 mësues janë nga shkollat fillore dhe 18 nga shkollat e mesme.