Kështu sot në mëngjes ishte gjendja pranë zyrës së Agjencisë për punësim në Tetovë. Qytetarë të shumtë po prisnin për të marrë një vërtetim për të dëshmuar se janë të pa punë. Vërtetimi kërkohej për të aplikuar për ndihmën që e paralajmëroi Qeveria. Por për shkak rrëmujës që u krijua dy ditë me radhë, ministri i Arsimit njoftoi se procedura është lehtësuar dhe nuk do të ketë nevojë për këtë vërtetim. Megjithatë qytetarët nuk ishin të informuar sa duhet.
“Sot dëgjuam që e kanë ndryshuar ligjin, kjo është pozitive. Qytetarët janë të revoltuar nga kjo lojë e pushtetarëve. Afati është i shkurtër ndërsa kërkojnë shumë dokumente. Populli duhet të vetëdijesohet që në zgjedhjet e ardhshme të mendojmë se kujt duhet t’ia japim votën”
“S’ka informacione sa duhet. Nuk është normale, kjo është lojë”,
“Unë erdha në mëngjes ta marr një vërtetim, presim nga një orë. Si mund të behët kështu në Maqedoni.”
Ideal Amzai i punësuar në Agjencinë për punësim thotë se në dy ditët e kaluara ka pasur një fluks të madh të qytetarëve të cilët e kërkonin vërtetimin.
“Për dallim nga dje dhe pardje, sot situata është më e qetë. E pamë se nuk është në rregull dhe kemi marrë njoftim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës se nuk është e nevojshme të merret vërtetim nga Agjencia e Punësimit, pasi u krijua fluks i madh. Dhe ne i përmbahemi atij njoftimi, qytetarët duhet të shkojnë në banka dhe të marrin raportin mujor të të hyrave dhe me atë dokument do të kryejnë punë më lehtë pasi që afat është vetëm katër ditë- deklaroi Ideal Amzai – Agjencia Për Punësim – Tetovë.
Para tre ditëve Qeveria njoftoi se do të jep ndihmë financiare në 6 muajt e ardhshëm nga 1200 deri 1800 denarë për nxënësit, prindërit e të cilëve kanë të ardhura mujore më pak se 50 mijë denarë. Pas lehtësimit të procedurës, u hoq nevoja për vërtetim nga Agjencia e punësimit dhe në vend të saj kërkohet pasqyra bankare nga transaksioni për muajin e fundit. Afati për aplikim është deri më 24 dhjetor.
