Edhe sot protesta në Tiranë: Të largohet Ardi Veliu! Gjykata vendos “arrest me burg” për policin që vrau Klodianin

TË FUNDIT

Të rinjtë në Shqipëri vazhdojnë të organizohen në rrjetet sociale. Ata kanë paralajmëruar sërish një protestë sot në orën 18:00, për shkak vrasjes së Klodian Rashës nga ana e një polici.

Në një njoftim në rrjetet sociale thuhet se kërkohet dorëheqja e Ardi Veliut, drejtorit të Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër Gjykata në Shqipëri ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për policin që vrau 25-vjeçarin, Klodian Rashën.

Polici Nevaldo Hajdaraj është shprehur gjatë seancës së sotme se është penduar për veprimin e kryer, ndërsa ka kërkuar që familja e viktimës të ishte në seancë në mënyrë që t’i kërkonte falje.

“Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, mësohet të jetë shprehur polici 31-vjeçar.

“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë askujt!”, është shprehur ndër të tjera ai.

Tre ditë më parë në orë policore në mesnatë polici qëlloi për vdekje dy herë të riun. Pas kësaj ngjarje një valë protestash kanë shpërthyer në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë.

Teksa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për shkak të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë ka reaguar kryeministri i vendit, Edi Rama.

Përmes disa postimeve të njëpasnjëshme në Tuitter, Rama shkruan se gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve, duke iu referuar dorëheqjes së djeshme të këtij të fundit.

Dorëheqja e ministrit të brendshëm, Sandër Lleshaj është pranuar nga kryeministri Edi Rama ditën e djeshme.

Lleshaj u bë ministri i tretë i brendshëm i larguar nga qeveria Rama në 2 mandate./TV21