Edhe një “jo” e Kurtit ndaj kërkesave të SHBA-së

TË FUNDIT

Qeveria e Kosovës “është treguar konstruktive dhe kreative në adresimin e brengave që ndajnë për rajonin” aleatët e saj.

Kështu u përgjigj ajo në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar “zhgënjimin” e shprehur të SHBA-së dhe BE-së për mosshtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e paligjshme serbe.

“Qeveria e Kosovës është dëshmuar partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e aleatëve, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat historikisht dhe tradicionalisht kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.

Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mori vendim për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.
Vendimi nis së zbatuari më 1 nëntor në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.

Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Kosova e ka shtyrë një herë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave më 31 korrik – po ashtu me sugjerimin e ndërkombëtarëve – pasi disa serbë lokalë në veri janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Pas publikimit të planit me tri faza, më 28 tetor, Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” me mosshtyrjen e vendimit edhe për dhjetë muaj të tjerë, ashtu siç kërkuan ato. Zhgënjim të ngjashëm, një ditë më vonë, shprehu edhe Bashkimi Evropian.