Edhe një ditë për Kodin Zgjedhor! Rokas ende optimist: Shpresoj se do të arrihet konsensus deri nesër

TË FUNDIT

Një ditë para skadimit të afatit shtesë, partitë nuk kanë treguar ndonjë mundësi që të afrojnë qëndrimet dhe të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor, i cili është pjesë e Agjendës së Reformave. Megjithatë, ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas nuk e humb shpresën dhe pret që partitë politike të arrijnë konsensus.

 “Unë vërtet shpresoj, ka edhe një ditë për të arritur konsensus. E kuptoj që koordinatorët e partive takohen çdo ditë dhe shpresoj që ky hap të arrihet. Siç e dini dhe siç është bërë e ditur për opinionin, bëhet fjalë për 4.2 milionë euro, të cilat do të përdoren si përfitim për qytetarët e Maqedonisë, dhe shpresoj që ky konsensus të arrihet deri në fund të ditës së nesërme”, theksoi Mihalis Rokas – ambasador i BE-së në RMV.

Por, pavarësisht këtyre shpresave të euroambasadorit, partitë vazhdojnë të jenë në qëndrime diametralisht të kundërta. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se ata do ta pranojnë atë ligj me të cilin do të përmirësohet mënyra e votimit, por nuk pranojnë futjen e një mekanizmi me të cilin zgjedhjet do të mund të manipulohen.

 “Si do të kontrollohet votimi elektronik ose dërgimi i votave me postë? Pushteti nuk propozon asnjë mekanizëm kontrolli përveç këtij propozimi. Kjo e konfirmon dyshimin se ata duan të fusin një mekanizëm për vjedhjen e zgjedhjeve. Asgjë tjetër. Nëse duan, mund të hapim debat në kuadër të një grupi ekspertësh për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Ky është qasja e vërtetë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM.

Nga VMRO-DPMNE, fajin ia hedhin opozitës, duke thënë se ajo nuk ka qëllim të arrijë marrëveshje për Kodin e ri Zgjedhor.

 “Lidhja Socialdemokrate, Levica dhe BDI-ja nuk duan Kod të ri Zgjedhor, sepse këtë e përgatisin si alibi para ciklit të ardhshëm zgjedhor. Kjo përafërsisht do të dukej kështu: të parët do të ankohen se nuk janë përfshirë rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it në Kodin e ri Zgjedhor, të tjerët do të ankohen se nuk kanë më shumë para për reklamim, ndërsa të tretët do të ankohen se nuk është respektuar vullneti i qytetarëve”, deklaroi Valentin Manasievski – Zëdhënës I VMRO-DPMNE-së.

Qëndrimi i partive shqiptare është se diaspora duhet të ketë të drejtë vote. Lidhja Shqiptare ka paralajmëruar se do ta bllokojë ligjin nëse nuk arrihet marrëveshje që diaspora të votojë.