Edhe krahas armëpushimit, vazhdojnë përleshjet në Nagorno-Karabah

TË FUNDIT

Në Nagorno-Karabah në ora 12 sipas kohës lokale (10 sipas kohës së mesme evropiane) hyri në fuqi armëpushimi, në pajtim me marrëveshjen e arritur në Moskë.

Por, edhe krahas marrëveshjes së arritur, të dy palët mes vete akuzohen për shkelje të armëpushimit dhe vazhdojnë me sulme.

Marrëveshja për armëpushim është arritur në takimin e djeshëm trilateral në Moskë të ministrave të Punëve të Jashtme të Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Marrëveshja parashikon që me ndërmjetësim të Kryqit të Kuq të këmbëhen të burgosurit e luftës, të lënduarit dhe trupat e të vrarëve.

Në Moskë është arritur marrëveshje të vazhdojnë bisedat për armëpushim të përhershëm.

Negociatat në Moskë, ku morën pjesë ministri azerbajxhanas i Punëve të Jashtme, Xhejhun Bajramov dhe shefi i diplomacisë armene, Zorab Mnacakanijan, kanë zgjatur 10 orë.

Përleshjet mes këtyre dy vendeve në Nagorno-Karabah eskaluan më 27 shtator. të dy vendet shpallën gjendje lufte dhe mobilizim të përgjithshëm dhe raportojnë viktima, duke përfshirë edhe civilë.