Edhe kjo Qeveri me paralajmërim për Korridorin 8/ Bytyqi: Dje u lidhëm me BE-në, sot këtë e bëjmë edhe përmes infrastrukturës

TË FUNDIT

Pasi dje Maqedonia u lidh me BE-në, prej sot fillon edhe me lidhjen infrastrukturore përmes ndërtimit të hekurudhave të Korridorit 8 dhe rindërtimit të Korridorit 10. Kështu, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi paralajmëroi nisjen e punimeve për këto dy korridore të rëndësishme pan-evropiane, për të cilat me dekada të tëra vetëm dëgjojmë – puna do të fillojë.

“Korridori 8 që do të thotë lidhje hekurudhore me Bullgarinë, është projekt të cilin e paralajmëronin disa qeveri dekadave të kaluara, por deri më tani nuk u ndërmor asgjë. Ministri për transport dhe lidhje Bllagoj Boçvarski tha se për këtë projekt përgatitjet zgjatën 10 muaj dhe se e pret realizimin e tij”, tha Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

“Është e saktë se shumë vjet fillohej, punohej, ndërsa projekti ndërpritej gjatë ndërtimit të projekteve të këtilla kapitale, sidomos kur bëhet fjalë për korridorin 8, mjetet që i siguruam nga miqtë tanë, pjesë nga BE-ja, pjesë nga Banka evropiane, na japin të drejtën që të besojmë se kur ka dëshirë, vullnet dhe entuziazëm dhe mjete në dispozicion, ne do të jemi çdo ditë në terren”, tha Bllagoja Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

Për realizimin e projekteve për ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8 dhe rikonstuimin e Korridorit 10, u nënshkruan 3 marrëveshje me vlerë të përgjithshme prej 200 milionë eurove. Këto projekte janë financuar me kredi të Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, ndërsa në pjesën e dytë do të shfrytëzohen edhe mjete të BE-së për fondin e investimeve për Ballkanin perëndimor.