Edhe dy seanca, përfundon rasti për djegien e spitalit modular në Tetovë!

TË FUNDIT

Seancat për spitalin modular janë nga fundi. Edhe dy seanca duhet të mbahen që të jepet vendimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Kjo sot u theksua nga gjykata pas përfundimit të seancës së dhjetë, ku dëshmuan katër dëshmitarë të tjerë, dy ekspertë nga Fakulteti Elektroteknik, të propozuar nga prokuroria.

 “Kemi  analizuar nëse instalimi i rrymës në spitalin modular nëse ka qenë në përputhje me standardet, por ka qenë e pamundur kjo të konstatohet për shkak të djegies. Andaj për këtë çështje  kemi  parë instalimin në spitalin modular të Gostivarit dhe të Kavadarit, ku  instalimi i brendshëm elektrik ka qenë sipas rregullores”, tha Vllatko Stoilkov – ekspert.

Motra medicinale Daniella Simjanoska e cila ka shërbyer në modular theksoi se ka pasur aparate kundër zjarrit, ajo mendon se ka pasur vetëm një, por nuk është e sigurt. Fluturije Islami, motër medicinale tjetër e cila ka shërbyer në modular tha se nuk ka qenë në modular kur ka shpërthyer zjarri.

“Kemi qenë të zënë me punë sa që nuk e kemi parë a ka aparate kundër zjarrit. Nuk na ka shkuar mendja të shohim. Mendoj se kishte në dhomën ku qëndronim ne si staf mjekësor. Në derën kryesore ka pasur shenjë për ndalim të hyrjes. Në derën e hyrjes ka pasur çelës. Gjatë ndërrimit përgjegjës kanë qenë motrat dhe doktorët. Nuk ka pasur roje te dera”, deklaroi Grafike – Fluturije Islami – motër medicinale .

Seanca e radhës u caktua për me 6 prill dhe pritet të dëshmojnë katër dëshmitarë të propozuar nga pala mbrojtëse. Nëse kjo seancë vijon në rregull, siç njoftuan nga gjykata, seancën pas saj pritet të mbahet seanca e fundit dhe merret vendimi për këtë rast.