Edhe 1 viktimë nga Covid-19, shërohen 5 të tjerë, 25 raste të reja, numri i të prekurve shkon në 354

TË FUNDIT

Një 65 vjeçare nga Struga është viktima e 10 që ka ndërruar jetë nga virusi korona. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se pacientja ka vuajtur edhe nga probleme tjera shëndetësore si probleme me mushkëritë e bardha, tension të lartë dhe diabet. Ndërkaq brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 25 raste të reja të personave të prekur me Covid-19, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 354, prej të cilëve 183 raste janë në Shkup.

12 pacientë pranë Klinikës infektive janë me gjendje më të rëndë shëndetësore, 5 prej tyre janë të vendosur në frymëmarrje mekanike.

Për fat të keq kemi edhe një rast vdekje, është pacientja 65 vjeçare me një serë sëmundjesh tjera të mëparshme, mushkëritë e bardha, rritje të tensionit të gjakut, diabet dhe sëmundje kronike të zemrës. Në klinikën për sëmundje Infektive, mbrëmë janë pranuar 9 pacientë të ri, tani janë të hospitalizuar gjithsej 59.

12 janë me gjendje të rëndë, me çka 5 pacientë janë në ventilim mekanik,tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetsisë.

Kumanova, me 7 raste të reja dhe gjithsej 54 të infektuar, prej sot radhitet e dyta në listë për nga numri i të prekurve me Covid-19. Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrieski dhe shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim, tashmë një kohë insistojnë që Qeveria të ndërmarr masa më të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronës si dhe të shpallet gjendje krize. Me një kërkesë të tillë dolën edhe sot.

Kërkojmë nga Qeveria e RMV që të shpallë situatë krize në Komunën e Kumanovës që të vendosë një regjim të posaçëm kontrolli në të gjitha hyrjet dhe daljet në qytet me pika për kontroll, me qëllim të zbatimit të planit Aksionar të Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe parandalimin e përhapjes së padëshirueshme të pandemisë jashtë dhe brenda qytetit, tha Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Nga Klinika për sëmundje Infektive janë liruar 5 pacientë, të cilët janë shëruar nga korona. Ndryshe deri tani janë testuar gjithsej 3775 persona.