U premtua se do të rikonstruohet gjatë vitit 2019, por salla e sportit “Partizani” në Çair vazhdon të jetë e shkatërruar dhe e mbushur me mbeturina.
Premtim së fundmi pati dhënë edhe i pari i Shkupit, Petre Shilegov. Ai tha se rikonstruimi do të fillojë në kuartalin e parë të vitit 2020. Kuartali i parë kaloi, ndërkaq në terren asnjë shenjë se do të nisin punimet.
“Gjatë vitit 2019-të është paraparë rikonstruimi i palestrës sportive ‘Partizani’”, pati deklaruar Ganiu.
“Procedura për rikonstruim është në rrjedhë, dhe punimet për rikonstruim do të fillojnë në kuartalin e parë”, pati deklaruar Shilegov.
Pas 4 muajsh, Shilegov thotë se është përgatitur projekti ideor dhe i njëjti duhet të harmonizohet me Komunën e Çairit, por kësaj here nuk dha datë se kur do të fillojnë punimet.
“Obligimin që e kemi pasur ne e kemi përfunduar tash duhet të harmonizohet zgjidhja ideor. Pasi të miratohet do të zhvillohet procedura për prokurim publik”, deklaroi Petre Shilegov – kryetar i Qytetit të Shkupit.
Nga Komuna e Çairit kanë njoftuar se zgjidhja ideore është plotësuar me propozime nga ana e tyre dhe të njëjtat janë dorëzuar te Qyteti i Shkupit i cili duhet t’i shqyrtojë të njëjtat. Pas kësaj Qyteti i Shkupit duhet të hapë prokurim publik për përzgjedhjen e operatorit ekonomik.
“Pasi ne të japim përgjigje, gjë e cila do të ndodh gjatë këtyre ditëve, Qyteti i Shkupit duhet të bëjë shpalljen e procedurës për furnizim publik dhe pas përzgjedhjes së operatorit ekonomik i cili do të realizojë procesin e rikontruimit, veç më mund të fillohet edhe me punë”, deklaroi Kushtrim Alla – zëdhënës i Çairit.
Që rikonstruimi të jetë i mundshëm edhe në terren, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit është duke punuar edhe në planin detal urbanistik në afërsi të “Partizanit”. Rikonstruimi i kësaj salle është pjesë edhe e “Kontratës” së Ganiut e cila u nënshkrua me qytetarët para zgjedhjeve lokale të 2018-s.