Ish drejtori i Kardikirurgjisë Sashko Jovev i ftuar në emisionin Click Plus në TV21 thotë se është prekur shumë nga lajmi për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit.
“Sinqerisht më goditi sepse ndërton një shtëpi, blen mobilje të bukura, krijon një atmosferë të këndshme dhe pastaj dikush të dëbon nga ajo shtëpi”, deklaroi Sashko Jovev – ish drejtor i Kardiokirurgjisë.
Pasi e shkarkoi Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti disa ditë më parë e ftoi profesorin që të jetë këshilltar i tij në Kabinet. Jovev nuk dha ndonjë përgjigje të saktë nëse e ka refuzuar ofertën, por thekson se ministrit i ka thënë se i përket klinikës që ka krijuar.
“Mendoj se vendi im është të qëndroj atje dhe të jem udhëheqës i klinikës për një kohë, derisa nuk sigurohem se pas meje aty do të funksionojë shkëlqyeshëm, edhe pse kolegët e mi të rinj kanë kapacitet të madh”, pohoi Sashko Jovev – ish drejtor i Kardiokirurgjisë.
Ministri Fatmir Mexhiti dhe profesori Sashko Jovev dje pinë kafe bashkë, por kjo nuk do të thotë se Mexhiti është i luhatur në vendimin e tij.
“Ja po e ndaj me ju, kafenë e mëngjesit e piva me profesorin e nderuar Jovev dhe profesori do të vazhdojë të punojë si kuadro më i mirë në atë klinikë sëbashku me ekipin profesionist që është aty dhe koleget tjerë kardiokirurgë, do të përqendrohet më shumë te pacientët dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë si doktor në klinikë. Si drejtor? Nuk e thash atë”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Profesori Jovev e pësoi për shkak të kujdestarive, mirëpo ai nuk është i vetmi i shkarkuar nga drejtorët e Klinikës, por janë shkarkuar edhe 20 drejtorë të tjerë ka bëtë të ditur Mexhiti, i cili shton se do të vazhdojë të shkarkojë çdo drejtor që bën keqpërdorime ose nuk është produktiv.
