Ftesa të rrejshme të dërguara në e-mail, kinse nga policia me të cilat qytetarët ftohen në MPB për hetim aktual, i ka shqetësuar qytetarët që kanë marrë e-maile të tilla. Në ftesën, në të cilën ka edhe nënshkrim të sekretares shtetërore të MPB-së, Magdalena Nestorovska, shkruan se qytetarët duhet të paraqiten në polici në termin të caktuar në lidhje me një procedurë të caktuar. Fillimi i tekstit nuk i ngjanë një ftese të policisë.
E-MAIL-i i rrejshëm: Komplimente, shpresojmë se jeni të shëndoshë dhe praktikoni distancë shoqërore. Me këtë njoftim ju ftoheni në policinë e Maqedonisë së Veriut në lidhje me një hetim aktual. Ju lutem, shqyrtoni dokumentet në vijim për brifing dhe nëse është e nevojshme kontaktoni avokatin tuaj.
Sekretarja shtetërore, Magdalena Nestorovska menjëherë reagoi në profilin e saj të Facebook-ut, ku shkruan se është lajm i rrejshëm, është falsifikuar nënshkrimi i saj dhe se po shpërndahet panik. Për TV21 ajo deklaroi se qëllimi është që të shkaktohet revoltë te qytetarët.
Magdalena Nestorovska, Sekretare Shtetërore e MPB: Bëhet fjalë për falsifikim me qëllim që të shqetësohen qytetarët sot në këtë ditë feste, që të shkaktohet revoltë e panevojshme ndaj organeve shtetërore, thjeshtë të prishet festa e qytetarëve për shkak se të merrni ftesë me përmbajtje të tillë thjeshtë nuk është e këndshme, së pari është shokuese dhe shqetësuese e më pas hyhet në detaje dhe analizohet.
Nestarovska u rekomandon qytetarëve që të mos hapin e-mailet e tilla për shkak se pas tyre mund të fshihet krim kompjuterik, ndërsa nëse i kanë hapur të drejtohen deri te Sekori për krim kompjuterik në MPB.
Magdalena Nestorovska, Sekretare Shtetërore e MPB: Ministria tashmë ka ndërmarrë aktivitete, Sektori për krim kompjuterik punon në këtë problematikë, kështu që për një kohë të shkurtër pres që të dalim edhe me përgjigje zyrtare, përkatësisht të japim pasqyrë më të qartë për atë se kush qëndron pas kësaj dhe cili është qëllimi. Supozohet se bëhet fjalë për virus dhe me hapjen e e-mailit qytetarët janë në rrezik që në ndonjë mënyrë tu vidhen të dhënat.
Ministria për punë të brendshme reagoi deri te qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe thonë se ata nuk përdorin postë elektronike për të dërguar ftesa deri te qytetarët në lidhje me zbatimin e hetimeve, por se ata ftesa janë në formë të letrës, me procedurë përkatëse, thuhet në kumtesën e MPB-së.
