E goditi me mjet të fortë dhe e hodhi në lumë, 17-vjeçarja e ka pranuar vrasjen e të riut nga Tetova

TË FUNDIT

16 vjeçari që u gjend dje në ujërat e lumit Shkumbin është dyshohet se është vrarë nga dashura e tij 17 vjeçare nga fshati Rogle i komunës së Zhelinës. Ajo dje është arrestuar dhe në stacionin policor në Tetovë e ka pranuar se ka kryer krimin. Si Prokuroria po ashtu edhe Policia konfirmojnë se e dyshuara e ka pranuar veprën penale dhe ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

 “Gjatë ditës së djeshme në stacionin policor janë thirrur dy të mitura ku njëra është një vajzë 17 vjeçare e cila edhe ka pranuar se është kryese e veprës dhe pas dokumentimit të plotë të rastit gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Tetovë ka caktuar masën e paraburgimit  në afat prej 30 ditësh e njëjta është dërguar në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e paraburgimit”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Zëdhënësi i policisë së Tetovës tregon po ashtu se për këtë rast në bisedë informative është thirrur edhe një person tjetër i mitur.

“Lidhur me këtë rast është thirrur një person tjetër ku pas bisedës informative është lënë i lirë, e gjithë kjo bisedë informative është zhvilluar në prani të personit social mjekësor”, pohoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Nga Prokuroria thonë se 17 vjeçarja me mjete të forta e ka goditur tashmë ndjerin duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pas e ka hedhur në lumin Shkumbin.

 “E dyshuara, vajza 17 vjeçe me paramendim ka privuar nga jeta një 16 vjeçar. Pas përplasjes verbale në veturë tek vendi i quajtur “Banja” ajo me një mjet të fortë e ka goditur të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë. Më pas e ka hedhur në lumin Shkumbin, ndërsa trupi i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit. Prokurori publik deri tek gjykata ka dorëzuar caktimin e masës së paraburgimit”, thonë nga Prokuroria Publike.

Autopsia i të ndjerit tashmë ka përfunduar, familjarët gjatë orëve të pasdites e kanë bërë varrimin. Motivet e veprës mbeten ende të panjohura. TV21 kontaktoi edhe me avokatin e të dyshuarës Ibrahim Bajramin i cili në një bisedë telefonike na tha se për shkak të konfidencialitetit, të fazës së ndjeshme hetimore, nuk mund të japë informacione konkrete pasi që veprime hetimore aktuale janë duke u ndërmarrë nga organet kompetente në vijën e zbardhjes së rastit. Përndryshe 16 vjeçari B.S. ishte larguar nga shtëpia rreth orës  16 të datës 21 dhjetor, ndërsa në orën 23:45 vetura e tij u gjet tek Banjat e Tetovës, kurse trupi rreth 100 metra më poshtë në ujërat e lumit Shkumbin.