“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”/Von der Lajen: Nuk mund t’i lëmë pas bashkëqytetarët tanë europianë

TË FUNDIT

 “Ky parlament e ka thënë me zë të lartë. E ardhmja e Ukrainës është në Unionin tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë. E ardhmja e Moldavisë është në Unionin tonë”, tha Ursula Von der Lajen, kryetare e Komisionit Europian.

Kjo ishte njëra prej deklaratave që kryetarja e Komisioni Europian, Ursula Von Der Lajen e tha para anëtarëve të Komisionit në fjalimin e saj vjetor ku foli për gjendjen e Bashkimit Europain. Von der Lajen e cilësoi zgjerimin si një hap të domosdoshëm për të kompletuar unionin përballë përpjekjeve destabilizuese të disa vendeve, duke cilësuar se për shkaqe strategjike dhe sigurie Ballkani Perëndimor dhe vendet tjera nuk duhet lënë anësh.

 “Të nderuar anëtarë, unë fillova duke folur për Europën që i përgjigjet thirrjes së historisë dhe historia tani po na thërret neve për ta kompletuar unionin tonë. Në një botë kur disa po përpiqen të marrin vendet, një nga një, nuk mund t’i lejojmë vetes të lemë pas bashkëqytetarët tanë europianë. Në një botë kur masa dhe pesha ka vlerë, është tërësisht në interesin tonë strategjik të kompletojmë Bashkimin Europian”, deklaroi Ursula Von der Lajen, kryetare e Komisionit Europian.

Se deri në vitin 2030 do të ketë zgjerim të BE-së e beson edhe zëvendëskryeministri për çështje europaine Bojan Mariçiq. Shton se Maqedonia nuk guxon ta lëshojë shansin që ka para vetes e që duhet kapur duke bërë ndryshimet kushtetuese.

“Nëse do ta lëshojmë ose jo varet nga ne. Ne po mundohemi që nëpërmjet vendimeve të vështira, ta kapërcejmë edhe pengesën e fundit dhe të vazhdojmë me negociatat. Nuk duam që në vitin 2030 kur të ketë pranime të anëtarëve të ri,  të ndodhë që ne mos të jemi mes tyre. Përkundrazi kur në 2030 do ta dëgjojmë lajmin se BE ka anëtarë të ri, duam që Maqedonia e Veriut të jetë njëra prej anëtarëve të reja”, pohoi Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Europiane.

Von der Lajen në fjalimin e saj e vuri theksin te nevoja e sundimit të ligjit dhe njoftoi se edhe shtetet që aspirojnë t’i bashkohen bllokut do të prezantojnë raporte lidhur me këtë, ashtu si bëjnë vendet anëtare të BE-së.