Një koment i bërë nga Nexhi Krasniqi, qytetar nga Kosova, në një postim të NASA-s në rrjetet sociale, ka tërhequr vëmendjen e Administratës Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore të SHBA-së.
Nexhi e vuri në dyshim autenticitetin e disa pamjeve të Hënës të publikuara nga NASA, të realizuara gjatë misionit Artemis II. Në postimin ku shfaqeshin imazhe të marra nga anija kozmike Orion gjatë fluturimit rreth anës së fshehtë të Hënës, ai pyeti pse nuk duken yjet në fotografi dhe sugjeroi se pamjet mund të jenë krijuar nga inteligjenca artificiale.
“Pse nuk janë të dukshme yjet nga ky pozicion? Dyshoj se është krijuar nga inteligjenca artificiale!”, shkroi Nexhi.
Reagimi nga NASA nuk vonoi. Pas vetëm pesë minutash, agjencia iu përgjigj duke shpjeguar arsyen shkencore të mungesës së yjeve në pamje:
“Yjet nuk shihen në këto imazhe sepse duken shumë të zbehtë krahasuar me Hënën, e cila është shumë më afër dhe reflekton shumë më shumë dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një interval të caktuar midis pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të një skene”, shkruan NASA.

