Dyshimet për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, Limani: NP “Komunalec” thotë se në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet i kanalizimit

TË FUNDIT

Kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani ka hedhur poshtë pretendimet se ujërat e zeza janë përzier me ujin e pijshëm, dyshim ky që u ngrit pasi një numër i madh i qytetarëve të Gostivarit ditëve të fundit janë paraqitur në spital për shkak të shqetësimeve me stomakun që siç tha “informacionet nga NP “Komunalec” tregojnë se në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet i kanalizimit”. Limani tha se ende nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike se shqetësimet e raportuara në lukth janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytet, që siç shtoi, mostrat e analizuara nga NP “Komunalec” deri më tani tregojnë se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj.

“Për momentin nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike se shqetësimet e raportuara në lukth janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit. Shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave përkatëse.

Komuna është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht në këtë procedurë. Sapo të jenë në dispozicion rezultatet zyrtare, ato do të publikohen për opinionin në mënyrë të plotë dhe transparente.

I ftoj qytetarët të qëndrojnë të qetë, ta respektojnë ndalimin e përkohshëm dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare. Në momente të tilla, përgjegjësia e institucioneve është të vërtetojnë faktet, ndërsa përgjegjësia e të gjithëve ne është të mos përhapim informacione të paverifikuara”, tha Limani.