Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur parahetim për dyshime serioze për kopjim të paautorizuar të të dhënave nga sistemi informativ i Kabinetit të Presidentes së RMV-së. Rasti është iniciuar më 18 dhjetor 2025, pas informacionit të marrë nga MPB për një incident të ndodhur më 24 nëntor 2025, ku dyshohet për ndërhyrje në sistemin kompjuterik shtetëror. Në kuadër të hetimit, Prokuroria ka kërkuar kontroll të sistemit kompjuterik në Presidencë dhe ka urdhëruar analizimin e kompjuterëve dhe laptopëve të dorëzuar nga Kabineti i Presidentes në MPB.
PROKURORIA PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT:
-Në fillim të vitit 2026, pas marrjes së njoftimit se Kabineti i Presidentes nuk disponon me kopje të video mbikëqyrjes, pasi pajisja është furnizuar përmes SHPPP, ndërsa kompetenca për përdorimin dhe ruajtjen e regjistrimeve është te MPB, prokurori publik i lëndës iu drejtua edhe SHPPP-së edhe MPB-së për sigurimin e tyre urgjent. Nga SHPPP u mor njoftim se institucioni nuk disponon me video-regjistrime, por se kompetenca e tyre ka të bëjë ekskluzivisht me furnizimin e pajisjes, ndërsa ruajtja dhe disponimi me kopjet e regjistrimeve është në kompetencë të MPB-së. Pavarësisht kësaj, nga ana e MPB-së deri më sot nuk janë dorëzuar informacione kthyese, as njoftim për veprimet e ndërmarra lidhur me sigurimin e kopjeve të video mbikëqyrjes.
Nga prokuroria shtojnë se më 16 mars 2026, MPB ka dorëzuar vetëm një pjesë të informacioneve që lidhen me sigurimin e qasjes në të dhënat e kriptuara nga pajisjet kompjuterike të analizuara deri atëherë. Në ndërkohë, Prokurorisë i janë dorëzuar edhe dy telefona mobilë të konfiskuar nga personi i denoncuar, për të cilët është kërkuar analizë dhe ekstraktim i të dhënave në Qendrën Hetimore të Prokurorisë.
PROKURORIA PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT:
-Pastaj, më 25.03.2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e lëndës, prokurori publik i dërgoi MPB-së – Sektorit për Krim Kompjuterik urdhër për analizën e të dhënave nga telefonat mobilë, si dhe analizë të përbashkët të të dhënave të nxjerra nga pajisjet kompjuterike të përpunuara në Qendrën Hetimore të OJQ-së për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për më tepër, u kërkua edhe analizë e veprimit sipas urdhrit gjyqësor për këqyrje dhe kontroll në sistemin informativ të Kabinetit të Presidentes, me detyrimin që prokurorisë t’i dorëzohet njoftim për provat e mbledhura.
Por, pavarësisht seriozitetit të rastit dhe dyshimeve për një skandal të mundshëm spiunazhi në Presidencën e RMV-së, Prokuroria thotë se deri më sot nuk ka marrë nga MPB as rezultatet e analizave dhe as provat e mbledhura gjatë hetimit.
Por në një përgjigje për këtë çështje, nga MPB i thanë TV21 se Sektori për Krim Kompjuterik tashmë po vepron sipas dy urdhrave të marrë nga Prokuroria, me të cilët kërkohet të bëhet analiza e materialit provues elektronik. Shtojnë se aktualisht është në vijim analiza e të gjitha provave elektronike që janë nxjerrë nga pajisjet e konfiskuara. Theksojnë se bëhet fjalë për një sasi më të madhe të materialit elektronik për të cilin nevojitet periudhë më e gjatë kohore. Sipas MPB-së, analiza është në fazën përfundimtare dhe në periudhën në vijim i gjithë materiali provues do t’i dorëzohet OJQ për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Photo: Ilustrim
