Dy vjetori i “Marrëveshjes së Prespës”! Emri – Republika e Maqedonisë së Veriut e zgjidhi kontestin 27-vjeçar

TË FUNDIT

Fshati i vogël, vetëm disa kilometra larg Prespës, do të mbetet e shkruar në historitë e Maqedonisë dhe Greqisë. Ekipi i TV21 e vizitoi para dy viteve një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes. Fshati ishte i qetë, pa shenja se të nesërmen këtu do të shkruhet histori. Për më pak se 24 orë, të gjithë sytë në botë, ishin drejtuar kah Psarades ose Nivici. Përfaqësuesit e Greqisë arritën përmes rrugës tokësore, të ndjekur me grup protestuesish, kurse Zaevi me ekipin e tij me motoskaf. Shefi i diplomacisë greke ishte në element. Jo vetëm zgjidhja e problemit, por festohej edhe ditëlindja e negociatorit Nimic. Marrëveshja u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të lartë të BE-së.


-“Dua që t’ju dërgoj porosi kundërshtarëve të kësaj marrëveshjeje në të dyja shtetet. Dy shoqëritë tona, ajo greke dhe ajo maqedonase, janë pjesë e një sistemi evropian të vlerave. Qytetarët tonë njësoj i meritojnë, paqen, demokracinë, sundimin e së drejtës, lirinë në të gjitha format e saj. Shtetet tona janë të obliguara që të rreshtohen pas barazisë mes etniteteve, dinjitetit njerëzor dhe solidaritetit,” tha Zoran Zaev. 

-“Kemi obligim historik për ta vazhduar këtë rrugë dhe unë jam optimist se do të arrijmë sukses. Jam i bindur se popujt tanë do të jenë shembull për bashkëpunim në këtë rajon jostabil. Jo vetëm rajoni, por e gjithë bota ka nevojë për shembull, siç është i yni,” tha Aleksis Cipras.

Si kujtim për aktin historik, kryeministri Zaev e hoqi kravatën e tij dhe ia dhuroi Ciprasit.
Përmes liqenit, delegacioni maqedonas dhe ai grek, shkuan në bregun tjetër të Prespës.
Atje u shkrepën disa fotografi të përbashkëta. Kjo ishte fund i solemnitetit, por njëkohësisht edhe fillim i problemeve të reja. Ujërat e qeta të liqenit, u prishën nga protestat e organizuara nga ana e VMRO-DPMNE-së, në qytetin nën Pelister. Kështu që, ende pa u lindur, marrëveshja ishte varrosur.

Klerik: -Pa u lindur, vdiq. Duhet ta varrosim, mëkat është, do të “kalbet”. 

Opozitat e të dyja vendeve gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kishin reagime negative, kurse Demokracia e Re, pas marrjes së pushtetit në Greqi, e zbuti pozicionin, duke e mbështetur qëndrimin se vendi ka kontinuitet, marrëveshja tashmë është nënshkruar dhe ratifikuar dhe se Greqia do ta respektojë. VMRO-DPMNE-ja, ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin.
Dy vjet më vonë, falë kësaj marrëveshjeje, Maqedonia u bë anëtarja e plotfuqishme të NATO-s, kurse mori dritë jeshile edhe për hapje të negociatave për aderim në BE.