Dy tërmete të reja të fuqishme e goditën Kroacinë qendrore, toka do të dridhet për një periudhë të gjatë, njoftuan sizmologët

TË FUNDIT

Kroacia qendrore herët këtë mëngjes u godit nga dy tërmete të reja të fuqishme me epiqendër në zonën e Petrinjes, me intensitet prej 4,7 dhe 4,8 ballë të shkallës Rihter.

“Tërmeti në orën 06:15 të mëngjesit kishte intensitet prej 4,7 ballë, ndërsa pak më vonë edhe një tjetër prej 4,8 ballë me epiqendër në zonën e Petrinjes”, tha Ines Ivançiq, shefe e shërbimit sizmologjik për Radion kroate.

Që nga fillimi i shekullit 20, në Kroaci janë regjistruar të paktën shtatë tërmete me të njëjtin intensitet si ato dje pranë Petrinjës, ndërsa të paktën katër më të fuqishëm, sipas hulumtimit ekspert sizmologjik.

Pas tërmetit të djeshëm me një intensitet prej 6,2 ballë të shkallës së Rihterit në Petrinje, u ndjenë edhe disa më të dobët. Shtatë persona vdiqën ndërsa dëmi material është i madh – në Petrinje nuk ka pothuajse asnjë ndërtesë që ka mbetur e padëmtuar.

Në Petrinje, njerëzit në një qytet pa energji elektrike po përpiqen të ngrohen në rrugë me zjarr.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq deklaroi mbrëmë se gati 16 milionë euro ndihmë janë siguruar pas tërmetit shkatërrues në Petrinje dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.

Sipas hulumtimit të botuar në vitin 1966 nga sizmologu kroat Dragutin Cvijanoviq, tërmete me intensitet prej 6,2 ballë ndodhën më 2 janar të vitit 1906 në Kashina afër Zagrebit, më 30 maj të vitit 1925 afër Kninit dhe më 20 korrik të vitit 1937 në Jellsa, afër Hvarit.

Tërmetet shkatërruese prej 6,2 ballë ndodhën më 27 mars të vitit 1938 në Bilogora, më 7 janar të vitit 1962 në Podgora në Biokovë dhe më 13 prill të vitit 1964 në Dij Gora.

Tërmetet më të fuqishme në fillim të shekullit 20, të cilat Cvijanoviq i kategorizon si 6 dhe tre të katërtat, ndodhën më 8 shtator të vitit 1909 në Pokupsko, më 29 dhjetor të vitit 1942 në Imotsko Pole dhe më 11 janar të vitit 1962 në Makarskë, katër ditë pas tërmetit shkatërrues në afërsi të Podgorës.

Tërmeti më i fuqishëm u regjistrua në brigjet e Malit të Zi në vitit 1979. Shkalla e tij ishte 7 ballë sipas shkallës së Rihterit, por epiqendra ishte jashtë Kroacisë, ndërsa pjesërisht e goditi edhe Konavle në Kroaci.

Tërmeti më i fuqishëm i regjistruar nga lista e fenomeneve të tilla në botë ndodhi në Kili në vitin 1960 dhe kishte intensitet prej 9,5 ballë sipas shkallës së Rihterit. Tërmeti i vitit 1556 në provincën Shanci të Kinës, besohet se ka shkaktuar më shumë viktima në histori, 830 mijë njerëz humbën jetën.