Dy ditë para seancës për ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE nuk lëshon pe: “Jemi kundër, nuk ka shumicë”

TË FUNDIT

Seanca për votimin e nevojës së ndryshimeve kushtetuese nuk do të dallojë shumë nga debati në Komisionin për çështje kushtetuese. Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dy ditë para mbajtjes së seancës plenare, që do të mbahet të premten, mbajti koordinim në selinë e partisë ku thonë se do të harmonizohen se si do të veprojnë në vetë seancën. Jozyrtarisht burime nga partia thonë se ata do të dalin në fillim të seancës kur do të votohet rendi i ditës, që, siç thonë, të shihet se pushteti nuk e ka shumicën e nevojshme prej 80 deputetësh. Koordinatori Nikolla Micevski, tha se ata nuk heqin dorë nga qëndrimi se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

“Qëndrimi ynë u tha edhe në Komisionin për çështje kushtetuese ku me argumente thamë se pushteti shtyn me forcë një proces që qytetarët nuk po e përkrahin. Të njëjtën gjë do ta përsëritim edhe në seancën plenare. Procedura dhe Rregullorja janë të qarta, për shkak se vazhdimisht tregojnë se e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve, unë shpresoj se do ta vendosin në votim dhe i gjithë opinioni publik të shohë se me kë ka punë vitin e fundit dhe se sa mendime të këqija dhe negative janë dhënë në bazë të të gjithë këtij procesi. Në fakt kjo do të shihet edhe gjatë votimit të rendit të ditës”, pohoi Nikolla micevski, koordinator i gd të VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM presin që deputetët t’i bashkëngjiten bllokut europian dhe t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese me çka do të vazhdojë rruga europiane e vendit.

Pres që  120 deputetët të jenë në nivel të detyrës, të kuptojnë përgjegjësinë që kemi të gjithë ne përpara qytetarëve. Ky është shansi i fundit i Mickoskit për t’u bashkuar me bllokun pro-evropian. Mickoski dhe DPMNE e kanë ndoshta shansin e fundit për të treguar ndjenjën e përgjegjësisë ndaj qytetarëve sepse është obligimi ynë si politikanë që të sigurojmë një të ardhme të sigurt për qytetarët”, deklaroi Fanica Nikolloska, deputete e LSDM.

Seanca është caktuar për të premten në orën 11:00, pika e vetme e së cilës është propozimi për aderim në amendamentet e Kushtetutës. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, paraprakisht kishte paralajmëruar se nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme për të votuar nevojën për ndryshime kushtetuese, do ta ndërpresë seancën dhe e njëjta do të shtyhet derisa të sigurohen 80 vota.