Edhe pse u parashikua që në fillim të ngjarjes ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku të japë deklaratë për media, kjo nuk ndodhi. Ministri Duraku hapi ngjarjen e cila ishte organizuar për 22 Majin-Dita Botërore e Biodiversitetit në të cilin u promovuan dy dokumente strategjike për mbrojtjen e natyrës. Pas disa minutash Duraku duhej të largohej nga ngjarje sepse siç thanë organizatorët ministri kishte obligime të tjera. Gjithsesi në dalje nga ngjarja vendosi t’ju përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse ai do të jetë ministri i ri i Ministrisë për Sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve, Duraku i konsideroi si pozitive ndryshimet kadrovike.
“Se ku do të jem unë atë e vendos BDI dhe lideri i BDI-së. Po edhe nëse bëhen ndryshime është në të mirë të bio-diversitetit politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut”,u shpreh Sadulla Duraku, Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në pyetjen se përse të gjithë ministrat e BDI-së përgjigjën me përgjigjen e njëjtë se për punën e tyre japin llogari vetëm para liderit Ali Ahmeti, Duraku tha se qeveria e vendit është e formuar nga partnerët e koalicionit.
“Ju duhet ta kuptoni se Republika e Maqedonisë së Veriut është qeveria e formuar prej partnerëve të koalicionit dhe partnerët e koalicionit bashkëbisedojnë dhe harmonizojnë programin se si duhet të veprohet. Programi i RMV-së është votuar në parlamentin e RMV dhe është shumë normale që ne partneritetin e ndërtojmë në baza të partneritetit serioz”, tha Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku.
Kryeministri Zaev, pas rezultateve të zgjedhjeve të para presidenciale paralajmëroi ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, në administratën shtetërore dhe të pushtetit lokal, duke dërguar mesazhin se të gjithë ata që nuk janë të përkushtuar në punë dhe nuk kanë dhënë rezultate, do t`i nënshtrohen “fshesës”, një term që së fundmi e zëvendësoi me fjalën “ndryshime”, pasi që pjesës më të madhe të funksionarëve të BDI-së, termi fshesë ju dukej vulgar.
Përgatiti: Valmira Zendeli
