MPB jep detajet e para për vrasjen në Shkup: 26-vjeçari u qëllua nga dy persona me motor

TË FUNDIT


Dy persona të armatosur, të cilët lëviznin me motor, kanë qëlluar me armë zjarri ndaj një grupi prej pesë personash në Duqanxhik të Shkupit. 

Si pasojë, është plagosur 26-vjeçari A.M., i cili më vonë ka ndërruar jetë në spital, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), duke bërë të ditura detajet e para zyrtare për vrasjen e mbrëmshme në Shkup.

Të shtënat janë raportuar më 6 shtator, rreth orës 23:30, në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Prohor Pçinski” dhe “Vojdan Çernodrinski”.

Sipas MPB-së, në momentin e sulmit, D.G. (29), A.Xh. (24), K.B. (36), E.B. (25) dhe A.M. (26), të gjithë nga Shkupi, kanë qenë duke qëndruar para vitrinës së një kompanie.

Në atë moment, para tyre është ndalur një motor me dy persona. Nga motori është hapur zjarr me armë zjarri drejt grupit, pas së cilës dy sulmuesit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Një nga plumbat e shkrepur e ka goditur A.M. Ai është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku, për shkak të plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Nga MPB-ja, për momentin, nuk bëjnë të ditur nëse sulmuesit janë identifikuar, ndërsa mbetet i panjohur edhe motivi i mundshëm i vrasjes.