“Duke qesh me thojshe kështu bir e don liria”, Gucati letër me rastin e vdekjes së babait të tij

TË FUNDIT

Hysni Gucati nuk ka mundur të jetë pjesë e ceremonisë së varrimit të babit të tij, Avdullah Gucatit pasi po vuan dënimin në Hagë.

Por, djali i tij Musli Gucati ka postuar letrën e plotë të Hysniut në Facebook, i cili lajmin për vdekjen thotë se e ka pritur me dhimbje.

Letra e plotë pa ndërhyrje e Hysni Gucatit:

Letër nga Hysi me rastin e vdekjes së Gjyshit
Babë sot nuk i paske prit shokët si çdo herë tjetër
Me thanë që portreti ytë i priti të dera,
të ajo derë e shpisë që sditi kurrë me u mbyll
Që edhe Kur kulluan gjak plagët bashkë i kemi ndrydhë,
Unë plagët e tua e ti plagët e mia
Duke qesh me thojshe kështu bir e don liria
Shumë herë Shokve ni fjalë jau ke thanë
Ta kisha plumbin që ka Hysi në trup
Kurrë nuk e kisha larguar, kujtim të lirisë e kisha lanë
Eh ta kisha ditë që ky plumb nuk me dha aq dhimbje
Sa dhimbje me dha lajmi që nuk me paske prit
Të kisha shok lufte shok shpirti e shok lirie
Pusho Babë në amshim larg çdo padrejtësie.

Ndryshe, Specialja e ka lejuar Gucatin të vizitojë babanë e tij derisa ky i fundit ishte në Spitalin e Mitrovicës, nën masa të rrepta të sigurisë nga EULEX dhe Policia e Kosovës.

Dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me nga 4 vjet e gjysmë burg.