President i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe nënpresidenti i UEFA-s, Armand Duka në TV21 tha se marrëdhëniet me Federatën e Futbollit të Maqedonisë kanë qenë gjithmonë të mira, dhe se është i sigurt që kryesia e re në FFM, me në krye Masar Omeragiq, do ta zhvillojë futbollin në vendin tonë. Duka tha se me Omeragiq njihen kohë më parë.
“TV21: Tani me kryesinë e re të Federatës së Maqedonisë. Keni bashkëpunim, jeni takuar? Ja që jeni këtu në Shkup, me z. Masar Omeragiq. Si janë marrëdhëniet? Njerëzit ndryshojnë, por federatat jo. Federatat gjithmonë duhet të kenë raporte korrekte dhe të mira dhe Federata Shqiptare e Futbollit me atë të Maqedonisë së Veriut të tilla i ka pasur gjatë gjithë kohës, aq më shumë se jemi komshi, aq më shumë që kemi, le të themi halle të njëjta. Kështu që pavarësisht që është ndërruar presidenti, por jo Federata. Marrëdhëniet po e përsëris që kanë qenë stabile dhe shumë të mira, pa dyshim që duke e folur një gjuhë me Muhamed Sejdinin, mund të ishin dhe kanë qenë pak më shumë…por edhe me presidentin e ri, me z.Masar unë kam një njohje personale, sepse ai ka qenë anëtar i komitetit ekzekutiv të federatës që në kohën kur ishte Hari president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, kishte ambicie madje edhe në atë kohë që të ishte president i federatës dhe erdhi një ditë dhe u bë president, dmth është pjesë e komunitetit të futbollit, për këtë thash që e kanë njohje të vjetër, është një ish-futbollist dhe me dëshirë për ta zhvilluar futbollin në Maqedoninë e Veriut. Jam i sigurt që do të bëjë mirë, kemi raporte shumë të mira”, tha Duka në TV21.
