Sistemi i besimit nuk funksionon, secili shikon si të manipulojë me ligjin. Andaj duhet të kemi një institucion që do të ketë përgjegjësi. Na nevojitet sistem në të cilin secili do ta dijë se patjetër të nënshkruaj dokumentin dhe se ka përgjegjësi me atë nënshkrim të tij, ndërsa nuk mundet nga zyra të rregullohen proceset. Kjo u theksua në emisionin Click Plus në TV21 ku të ftuar ishin kryetarë të komunave të Shkupit. Thonë se po përballen me probleme që janë akumuluar disa dekada.
“Ne kemi sistem tepër të komplikuar dhe glamuroz për dhënien e llojit të tillë të miratimeve, duke filluar nga miratimet për ndërtim, pajisje urbane, ja si rasti i kabaresë, restorantit dhe kështu me radhë. Unë vlerësoj se këtu një institucion duhet të ketë përgjegjësi. Kjo do të jetë qasje shumë më serioze dhe do të ketë më pak hapësirë për manipulime. Këtu ka dhjetë institucione që duhet të ju japin mendime të ndryshme”, tha Orce Gjorgjievski
Kryetari i Qendrës, Gerasimovski, është pesimist se një gjë e tillë do të ndodh së shpejti për shkak se ka shumë kompetenca të ngatërruara.
“Kjo për momentin është e pamundur, por edhe në të ardhmen është e pa mundur, për shkak se kemi ligje dhe kompetencat të ndërthurura të më shumë institucioneve për veprim për çështje të caktuara. Në pjesën e përgjegjësisë në njësitë banesore të të gjithë banorëve që jetojnë në një godinë, në mënyrë shtesë ata kanë ose këshill banesorë ose udhëheqës që i udhëheqin ndërtesat. Kemi Ligj për banim që duhet të respektohet nga të gjithë. Por shohim se çfarë po ndodh në dhjetë vjetët e fundit. Kemi ndërtesa pa hidrantë, përkatësisht ndoshta ka hidrantë por mungojnë zorrët, nuk ka aparate kundër zjarrit”, deklaroi Goran Gerasimovski.
Ai theksoi se është madje e pamundur të bëhen rrugë sipas parametrave ligjore, për shkak se ka lagje në të cilat gjatë legalizimit të ndërtimeve pa leje janë të uzurpuara edhe hapësira publike. Tha se qytetarët në garazhe ruajnë turshi, ndërsa automjetet i lënë në rrugë.
Edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, konfirmoi se ka probleme sistematike.
“Ka lëshime tjera në sistem ku ne mundemi çdoherë të jemi në tapet dhe të përndiqemi si kryetarë komune. Ndërsa nuk varet gjithçka nga ne për shkak se ato licenca merren nga institucione të tjera, por normalisht si kryetarë komune kemi përgjegjësi. Qoftë apo jo ligjore, ne kemi përgjegjësi morale nëse ndodh një ngjarje e tillë”, tha Visar Ganiu.
Ganiu shpalosi se nga 9 shkolla në Çair, shtatë nuk kanë fletëpronësi, janë ndërtime “të egra”, ndërsa legalizohen edhe komplet blloqe të ndërtesave që nuk kanë pasur fletëpronësi. Thotë se ne tani po përmirësojnë historinë që dikush e ka imponuar për 50 vite.
