Duan libra, jo uniforma! Ankohen disa prindër të shkollës fillore në Kërçovë

TË FUNDIT

Në shkollën fillore “Vlladimir Polezhinoski” në Kërçovë është vendosur që nxënësit të mbajnë uniformë, por shumë prindër janë kundër. Kjo për shkak se u është thënë që vetë duhet t’i paguajnë uniformat, gjë që është e vështirë për disa familje që kanë 2 a 3 fëmijë në shkollë, aq më tepër tani në kohë krize ekonomike dhe kur fëmijët nuk janë të pajisur as me të gjithë librat e nevojshëm.

“I detyrojnë fëmijët që të sigurojnë uniforma, puna është pak edhe qesharake, tragjedi-komike sepse sigurimi i uniformave dhe pagesa nuk është e qartë, veçanërisht se duhet të paguhet në dy këste por të dy këstet duhet të paguhen në të njëjtin muaj, njëra më 10.11 dhe tjetra diku ka 20-ti. Kjo është tallje me kapacitetin e prindërve tallje me fëmijët, bëhet fjalë për presione të transmetuara se ai është vendim i domosdoshëm. Njëri fëmijë ka vetëm një pjesë të librave për një pjesë të lëndëve mësimore, ndërsa për pjesën tjetër aspak nuk ka. Tjetri më i vogli ka skripte, në vend të librit”

TV21 kërkoi qëndrim nga drejtori i shkollës Goran Karafiloski, por na tha se kjo nuk ka të bëjë me udhëheqësinë e shkollës, sepse siç shtoi, vendimet e këtilla i sjellë këshilli i prindërve. E nga ky këshill thonë se në vitin shkollor 2018/19 kanë marrë vendim që fëmijët të mbajnë uniforma.

“Sipas atij vendimi, këshilli vendosi blerjen e uniformave të reja shkollore për nxënësit. Në mbledhjet e përbashkëta dhe individuale të prindërve, shumica e prindërve ishin pro blerjes së uniformave për nxënësit, si dhe u vendos që pagesa e uniformave të bëhet me dy këste, kësti i parë deri më 10.11.2022 dhe kësti i dytë deri më 30.11.2022, por këshilli u mblodh sërish dhe vendosi shtyrjen e këstit të dytë deri më 15.12.2022”, tha Goran Poposki, kryetar i Këshillit të Prindërve.

Kryetari i Këshillit shton po ashtu se e kanë parasysh edhe aspektin social dhe material të familjeve , andaj kanë vendosur ata që nuk janë në gjendje të mirë financiare, të mos paguajnë.

Përndryshe, në shkollat publike të Maqedonisë nuk është e detyrueshme mbajtja e uniformës.