Dua Lipa merr titullin Ambasadore Nderi e Kosovës

TË FUNDIT

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa është shpallur Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka ndarë në Facebook disa foto nga momenti i rëndësishëm.

“Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”, shkroi Osmani në Facebook.

Presidentja theksoi se ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë.”

Dua Lipa është me prejardhje nga Kosova. Ajo u kthye që të performonte në edicionin e tretë të Festivalit që sjellë shumë emra të mëdhenj të muzikës botërore, por edhe lokale.

Para hapjes zyrtare të festivalit, në një konferencë për media, Dua Lipa tha se nuk ka ndjenjë më të mirë se sa perfomimi në Prishtinë.

Festivali Sunny Hill, që nisi të enjten, do të zgjasë deri më 7 gusht dhe këtë vit, sipas organizatorëve do të ndiqet nga mbi 25.000 persona çdo ditë.

Edicioni i parë i Festivalit Sunny Hill është mbajtur më 2018, ndërkaq edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.